Petrovska: Vendimet për donacion për Ukrainën klasifikohen për arsye sigurie

Shkup, 15 gusht – Vendimet për donacionin e ndihmës dhe armatimit për Ukrainën janë vendime të një shteti sovran dhe të pavarur, pavarësisht se ne jemi anëtare të NATO-s dhe jemi pjesë e sistemit të sigurisë kolektive. Për arsye të sigurisë ato janë të klasifikuara, deklaroi sot ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska.

“Që nga vendimi i parë deri tani janë marrë vetëm tre vendime për donacion, të cilat janë klasifikuar për arsye të sigurisë. Ato përmbajnë detaje të brendshme se çka dhe çfarë lloj pajisjeje dhe në çfarë sasie është dhuruar. Që nga vendimi i parë kur është marrë nga Qeveria në seancën e saj me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, është komunikuar dhe njoftuar opinioni se jemi duke marrë vendim për donacion dhe në të tre rastet është ndjekur ai shembull, ndërsa Informacioni që u nda shprehimisht me opinionin është se kemi marrë vendim për dhurimin e pajisjeve ushtarake dhe armatimit për nevojat e ushtrisë ukrainase. Detajet nuk u publikuan për arsye të sigurisë, por kjo nuk do të thotë që kur të bëjmë një vlerësim se nuk ka rrezik për sigurinë, ato tre vendime do të deklasifikohen siç duhet dhe opinioni do të dijë absolutisht dhe saktë se në çfarë sasie dhe çfarë lloj pajisjesh dhe armatimi kemi dhuruar për Ukrainën”, tha Petrovska në pyetjen e një gazetari në konferencën për media me rastin e shënimit të Ditës së Armatës dhe përvjetorit “30 vjet Armatë”.

Për komentet dhe spekulimet në opinion që dolën rreth vendimeve të Qeverisë, ajo theksoi se ishte vendim i një shteti sovran dhe të pavarur.

“Vendimi i Qeverisë përfaqëson absolutisht vendimin e një shteti sovran dhe të pavarur, pavarësisht se jemi anëtare të NATO-s dhe jemi pjesë e sistemit të sigurisë kolektive, por Qeveria konsideroi se në kushtet kur një shtet tjetër sovran dhe i pavarur – Ukraina është sulmuar ne duhet të ndihmojmë, të udhëhequr nga parimet e përgjithshme të pavarësisë. Për këto arsye, të motivuar, morëm vendimin për të mbështetur Ukrainën në pajisje dhe armatime, sepse Ukraina është vendi që u sulmua dhe që mbrohet nga agresioni”, shpjegoi Petrovska.

Ajo konfirmoi se tanket ishin pjesë e atij donacioni, por nuk e tregoi numrin e tyre dhe ç’farë sasie. Ata nuk janë më pjesë e formacionit të Armatës, sepse thotë se nuk janë të nevojshme, dhe posaçërisht theksoi se gjatë marrjes së vendimeve politike, absolutisht është marrë parasysh mendimi dhe para së gjithash është konsultuar Shtatmadhoria e Armatës, si përgjegjës për garantimin e gatishmërisë luftarake të vendit tonë.

“Të gjitha kërkesat që i referohen një donacioni të çfarëdo lloji apo tjetërsimi të pajisjeve që ne zotërojmë, janë absolutisht në koordinim me Shtatmadhorinë e Armatës dhe pas marrjes së mendimeve pozitive të tyre se ato pajisje nuk kanë perspektivë, janë të panevojshme për armatën tonë, tjetërsohen në një procedurë të përshtatshme ose në rastin e tankeve me donacion. Pra, absolutisht i mohojmë të gjitha spekulimet se me këtë donacion apo me ndonjë donacion më parë dëmtohet gatishmëria luftarake e Armatës sonë”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes Petrovska