Petrovska mirëpriti në takim ambasadoren Holshtajn dhe atasheun Vamsler

Shkup, 26 shtator – Zhvillimi i bashkëpunimit në mbrojtje ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë, i cili ka në fokus politikën e mbrojtjes, logjistikën, mjekësinë ushtarake, arsimin dhe trajnimin ushtarak, menaxhimin e personelit, zhvillimin e infrastrukturës, sigurinë kibernetike dhe bashkëpunimin civilo-ushtarak, ishin temat e bisedës në takimin e sotëm të ministres së Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska me ambasadoren gjermane në vend, Anke Holshtajn dhe atasheun e posa emëruar të mbrojtjes, nënkolonelin Hans Peter Vamsler.

“Dy vendet tona kanë pasur tradicionalisht marrëdhënie të shkëlqyera që reflektohen edhe në mbrojtje. Gjermania është partner dhe aleati ynë i përkushtuar në Aleancë, e cila na ka mbështetur gjithmonë në arritjen e synimeve tona strategjike dhe për këtë jemi veçanërisht mirënjohës”, theksoi ministrja në takim.

Petrovska, Holshtajn dhe Vamsler, siç njoftojnë nga Ministria e Mbrojtjes, kanë biseduar edhe për zhvillimet aktuale në kontinentin evropian, gjatë së cilës janë pajtuar që NATO të mbetet e bashkuar në qëllimin e saj – parandalimin dhe mbrojtjen e territorit të Aleancës, si dhe kanë bërë thirrje për deeskalim dhe ndërprerje të menjëhershme të veprimeve ushtarake në Ukrainë dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura përmes dialogut dhe rrugës diplomatike.

Maqedonia e Veriut dhe Gjermania kanë bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes që nga viti 1996. Ekspertët gjermanë të menaxhimit të personelit u përfshinë si këshilltarë në përgatitjen e dokumentit kryesor të mbrojtjes, Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes, dhe në kuadër të bashkëpunimit dypalësh në qendrat gjermane për edukim dhe trajnim po shkollohen rreth 200 pjesëtarë të Armatës. Bashkëpunimi përfshin edhe trajnimin në gjuhën gjermane, ku kanë marrë pjesë rreth 200 pjesëtarë të armatës, si dhe Gjermania ka miratuar kërkesën për zgjerimin dhe vazhdimin e bashkëpunimit ekzistues dykombëtar të forcave të armatosura nga të dy vendet përmes programeve vjetore dhe programeve të ndihmës ushtarake deri në vitin 2023./Zhurnal.mk