Petkoviqi konfirmon se pala serbe i shtoi kërkesat për takim trepalësh
Sot në Bruksel, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak zhvilloi takime të ndara me ekipin kosovar, të kryesuar nga kryenegociatori Besnik Bislimi, dhe me palën serbe të kryesuar nga Petar Petkoviq.
Takim trepalësh nuk pati. Refuzimi i takimit sipas Bislimit, ishte shtimi i temave nga Serbia jashtë agjendës së përcaktuar nga Lajçaku.
Por, Petkoviq tha se ishte homologu i tij nga Kosova ai që ka refuzuar takimin trepalësh.
Petkoviqi ka deklaruar se shkak i refuzimit, sipas tij, është diskutimi i temave si themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shërbimet postare dhe çështjen e zbatimit të marrëveshjes.
Ai tha se Serbia asnjëherë nuk e ka pasur problem të bisedojë dhe të ketë takime të drejtpërdrejta me palën nga Kosova, teksa shtoi se gjatë takimit trepalësh e patën mundësinë që të propozonin çfarë të donin, por që, sipas tij, Bislimi refuzoi, shkruan Tanjug.
“Takimi trepalësh i drejtpërdrejtë me palën prishtinase nuk u zhvillua sepse Bislimi refuzoi të takohej me përfaqësuesit e Beogradit, sepse insistuam në tema si AKS-ja, shërbimet dhe zbatimi i marrëveshjeve”, tha Petkoviq.