Përplasja e opozitës me policinë te Kuvendi, Meta: Kanosja e deputetëve me armë, akt i rëndë
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me përplasjen e opozitës me policinë një ditë më parë në Kuvend.
Kreu i PL-së në një deklaratë për mediet tha se kanosja e deputetëve me armë është një akt i rëndë.
“Kjo ngjarje e paprecedent është një tjetër dëshmi publike e fytyrës kriminale të Narkoshtetit që jo vetëm burgos dhe përndjek politikisht opozitën, por edhe i kërcënon me jetë të zgjedhurit e popullit”, – tha Meta.
Sipas Metës, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali si dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, kanë konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
“Demokracia, pluralizmi politik dhe shteti ligjor mbizotërojnë mbi disiplinën parlamentare ndaj Kryetarja e Kuvendit, dhe ministri i Brendshëm, dje botërisht kanë konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, duke urdhëruar Policinë të futet brenda perimetrit të Kuvendit dhe të konsumojë ato akte kriminale dhe skandaloze që i pamë të gjithë”, u shpreh Meta.