Përhapja e gripit, shifrat shqetësuese, vaksinimi vazhdon

Shkup, 24 tetor – Sezoni i shfaqjes së gripit veç më ka nisur, ndërkohë shifrat flasin për një trend shqetësues. Sipas raportit të Institutit për Shëndet Publik, gjatë javës së shkuar janë regjistruar 83 raste me grip, që paraqet rritje të të infektuarve për 66% në krahasim me periudhën e njëjtë vitin e kaluar.

Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në Gostivar me gjithsej 30 të sëmurë dhe më pas vijon Tetova me 12 të prekur nga gripi për të pasuar me qytetet tjera sikurse Kumanova, Prilepi, Makedonski Brodi, Strumica, Negotina dhe Radovishi.

Nga këto shifra vihet në përfundim se virusi ka nisur qarkullimin, ndërkohë që po zhvillohet vaksinimi si masë preventive.

“Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 80 mijë doza kundër gripit sezonal për vaksinimin e grupeve të rrezikuara. Vaksinimi që ka nisur më 16 tetor, veç më po tregon rezultate të shkëlqyera. Deri më dje janë vaksinuar 13 mijë e 273 persona të kategorive të ndryshme.”, – njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Gjithashtu nga Instituti i Shëndetit Publik rekomandojnë qytetarët që t’u ikin grupimeve në hapësira të mbyllura me më shumë njerëz, të ajrosen hapësirat, të kihet kujdes në higjienë, si në ushqim të bollshëm me vitamina. (MERAL ISMAILI, TVM2)

Të prekur nga gripi:

Gostivar – 30 persona

Tetovë – 12

Kumanovë – 11

Prilep – 9

Makedonski Brod – 9

Strumicë – 7

Negotinë – 3

Radovish – 2