Përfundon procedura e administrimit të provave ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve, mbrojtja i quan të papranueshme

Të enjten, në gjykimin ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Florjan Petanit, Qefser Baholli dhe Izet Beqirit janë administruar provat materiale të propozuara nga Prokuroria Speciale.

Të gjithë këta po akuzohen se duke vepruar si grup kriminal, për qëllime të përfitimit material i kanë pajisur qytetarët në mënyrë të jashtëligjshme me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Pas leximit të provave nga prokurorja Florije Shamolli, mbrojtësit e të akuzuarve i kundërshtuan të njëjtat.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rugova, avokat Nexhat Shabani deklaroi se i kundërshton në tërësi provat, sipas tij të njëjtat janë të pa pranueshme si në aspektin procedural edhe në atë përmbajtjesorë.

“Në aspektin procedural sepse janë nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme gjatë bastisjes, nuk ka precizitet as te lokacioni, as të sendeve që duhet sekuestruar dhe as të pajisjeve elektronike. Në aspektin përmbajtjesore nuk përmban në vete fakte në ndërlidhje me elementet qenësore të veprës penale të përfshirë në aktakuzë”, tha Shabani.

Mbrojtësi i të akuzuarit Petani, avokat Besnik Berisha tha se e kundërshton në  tërësi legalitetin dhe relevancën e provave të propozuara, duke shtuar se mbetet pranë kundërshtimeve të dhëna pas shqyrtimit fillestar.

“Provat e propozuara kanë mangësi së paku në dy segmente, e para nuk është e saktë se ato janë marr përmes ndihmës juridike ndërkombëtare të mirëfillta, por janë siguruar përmes kontakteve private në mes të prokurorëve të Eulex-it dhe prokurorëve italian, veprime këto që bien ndesh me traktatin për ndihmë të ndërsjella në çështje penale në mes të Kosovës dhe Italisë”, tha Berisha.

Tutje, Berisha shtoi se shumicës së provave nuk i’u dihet origjina dhe janë prova thelbësisht të pa mbështetshme, sipas tij kjo vërtetohet me deklaratën e dëshmitarit Artim Gashi.

“Kjo është provuar edhe në deklaratën e dëshmitarit të djeshëm, Artim Gashi, i cili edhe pse kishte aplikuar në zyrat e autorizuara nga ambasada edhe dokumentacioni i tij ishte plotësuar në agjenci turistike, sërish ishte mbjellur një letër në emër të familjes Rugova, kinse lëshuar në përkrahje të aplikimit të tij, kjo e vënë origjinën e këtyre provave të dyshimt, në veçanti se mungon edhe zingjiri i ruajtjes së tyre”, tha Berisha.

Berisha lidhur me armën e sekuestruar në shtëpinë e të mbrojturit të tij deklaroi se e njëjta armë ka qenë me leje të lëshuar nga autoritetet e UNMIK-ut.

“Arma e sekuestruar në shtëpinë e tij ka qenë e njohur për autoritetet, ka pasur leje për armëmbajtje të lëshuar nga autoritetet e UNMIK-ut në atë kohë dhe kjo mund të konfirmohet edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme , të cilët disponojnë në arkivat e zyrës për leje të armëve”, tha Berisha.

Në fund, Berisha tha se aktakuza dhe provat ishin në pa përshtatshmëri ligjore dhe kushtetuese e që këtë e ka konfirmuar edhe vendimi i gjykatësit të Eulex-it.

“Gjykatësi i Eulex-it e kishte kthyer në plotësim, ndryshim, saktësim dhe kishte cilësuar si një koleksion normash ligjore pa listuar dhe saktësuar veprime të kundërligjshme njerëzore. Ndryshimi është dorëzuar pas afatit dhe rrjedhimisht i është ndërruar vetëm data por nuk janë përmbushur detyrimet e dhëna nga gjykata ”, shtoi ai.

Këto prova u kundërshtuan edhe nga mbrojtësja e të akuzuarit Baholli, avokate Luljeta Jashari, e cila shtoi se nëse do të përqendroheshin tek provat që ndërlidhen më të mbrojturin e saj atëherë do të kishim të bëjmë me veprën penale legalizim i përmbajtjes së rreme dhe asnjëherë me veprat penale që ngarkohet i njëjti.

Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Haraqija, avokat Korab Vokshi, deklaroi se i mbështet në tërësi argumentet e avokatit Berisha, duke shtuar se të njëjtët argumente afektojnë edhe të akuzuarit tjerë e përkatësisht të mbrojturin e tij.

Të gjitha këto kundërshtime u mbështetën edhe nga vet të akuzuarit.

Pasi që nuk kishte propozime për prova të reja, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dërmaku e konsideroi të përfunduar procedurën e administrimit të provave.

Seancat e radhës për këtë çështje u caktuan të mbahet më 10 dhe 11 maj 2022.

Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.

Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i paautorizuar i armëve, ku në rezidencën e tij i ishin gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Ky rast tashmë është ndarë në dy pjesë pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas. Ukë Rugova, Astrit Haraqija, si dhe Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri janë duke u gjykuar veçmas nga 15 të akuzuarit tjerë.