Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell të hënën në Shkup

Shkup, 12 mars – Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Zhosep Borrell, të hënën do të udhëtojë drejt Shkupit, në kuadër të vizitës së tij në rajon, e cila fillon nga nesër dhe do të zgjasë deri më 16 mars, me ç’rast përveç Maqedonisë së Veriut, do ta vizitojë edhe Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Në Shkup, Borrell do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, si dhe me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi dhe liderët e partive opozitare.

Përfaqësuesi i lartë do të mbajë konferencë për shtyp me kryeministrin Kovaçevski, e cila do të transmetohet në EbS.

Borrell më pas do të marrë pjesë edhe në një ngjarje ku përfaqësues të shoqërisë civile dhe të organizatave rinore do ta prezantojnë punën e tyre mbi kontributin e Ballkanit Perëndimor në Konferencën për të ardhmen e Evropës. Ngjarja do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen e Fejsbukut të Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut.

Vizita e Borrellit në rajon do ta konfirmojë angazhimin dhe mbështetjen e BE-së për rajonin, gjithashtu në këndvështrimin e luftës ruse kundër Ukrainës dhe ndikimin e saj në sigurinë e Evropës në tërësi”, kumtoi Delegacioni i BE-së. në vend.

Nga Shkupi, përfaqësuesi i lartë i BE-së do të udhëtojë për në Tiranë, ku do të takohet me kryeministrin shqiptar Edi Rama, si dhe me përfaqësues të tjerë të qeverisë dhe shoqërisë civile.

Borrell, të mërkurën do të udhëtojë drejt Sarajevës, ku fillimisht do të vizitojë operacionin e EUFOR Altea dhe më pas do të takohet me autoritetet e BeH-së dhe me përfaqësues të partive politike të opozitës, si dhe të shoqërisë civile.