Për ngasje të shpejtë gjobiten 311 shoferë
Shkup, 27 dhjetor – Janë sanksionuar 311 shoferë në gjithë vendin për ngasje të shpejtë, informoi sot Ministria e Punëve të Brendshme.
“Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Punëve të Brendshme zbatoi aksion kontrolli në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për sanksionimin e automjeteve të cilat lëvizin me shpejtësi më të madhe se e lejuara. Gjatë kësaj, janë sanksionuar 311 shoferë. Prej tyre, nëntë automjete kanë lëvizur me shpejtësi mbi 50 kilometra në orë më shumë se shpejtësia e lejuar. Gjatë kësaj, 178 automjete e kanë tejkaluar shpejtësinë në vendbanim, ndërsa 133 jashtë vendbanimit”, sqarohet në kumtesë.
Nga Ministria theksojnë se kontrollet në komunikacion vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
“Ju bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë rregullat në komunikacion dhe bashkërisht të kontribuojmë për rrugë më të sigurta”, bëhet e ditur në kumtesë.

