Për masën e njëjtë, djemtë në Shtëpi edukuese-përmirësuese, vajzat në burg
Shkup, 2 prill – Kur kanë nevojë për diçka, vajzat e mitura të cilët vuajnë masën “udhëzim në shtëpi edukuese-përmirësuese”, të vendosur në dhomë të adaptuar në korridor në kuadër të INP Idrizovë, janë të detyruara të bërtasin përmes dritares së tualetit, meqë nuk kanë pajisje për të thirrur shërbimet. Këta banuese, në kundërshtim me ligjin, janë akomoduar në një hapësirë që nuk siguron izolim të plotë, respektivisht, pamundëson kontaktin me të dënuarat me të cilët janë në kontakt gjatë marrjes së ushqimit dhe shfrytëzimit të kohës së lirë për shëtitje në hapësirë të hapur.
Të miturat janë të vendosura në një hapësirë të rrënuar dhe të ftohtë për të cilën thonë se ndonjëherë nuk ka edhe ujë. Aktiviteti i tyre i vetëm atje është vizatimi dhe shëtitja në oborr, të cilin e ndajnë me të burgosurat e tjera të rritura dhe për të cilën duhet të presin termin të lirë. Për dallim prej tyre, banuesit në Shtëpinë ndëshkuese-përmirësuese- Tetovë, ku janë të akomoduar 21 djem, kanë dhoma të rregullta, të pajisura, tualete, klasa, palestër, kënde lojërash në hapësirë të hapur, mensë, punëtori dhe shumë alternativa të tjera me të cilat në mënyrë kreative e plotësojnë kohën e lirë. Me banuesit në Volkovi punon një ekip edukatorësh, si dhe psikolog, pedagog dhe sociolog, ndërsa në Idrizovë, të miturat kanë vetëm një edukatore të cilin e ndajnë me të gjitha të burgosurat tjera.
Kjo gjendje faktike që MIA dhe “Samo prashaj” (Vetëm pyet) e konstatuan nga vizitat dhe storiet që i publikuan, e nxitën Avokatin e popullit të bëjë një vizitë të posaçme, të jashtëzakonshme në SHEP Idrizovë, me ç’rast përpiloi konstatim me gjetje dhe rekomandim që do t’ia dërgojnë Drejtorisë së zbatimit të sanksioneve për të gjetur një zgjidhje tjetër, më adekuate. Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, gjithashtu, ka iniciuar procedurë për përcaktimin e diskriminimit potencial që është në rrjedhë.
Një nga zgjidhjet që e propozon avokati i popullit është vajzat të vendosen në SHEP Volkovi me kushte të mundësuara paraprakisht për ndarje fizike nga djemtë, siç parashikon neni 40 i Ligjit të zbatimit të sanksioneve, që parashikon se “fëmijët sipas gjinisë akomodohen në shtëpi të ndara, ndërsa mund të vendosen në një shtëpi, por ndaras”.
Në intervistën për MIA-n, Avokati i popullit, Naser Ziberi, arsyetoi se gjatë vizitës në gusht të vitit 2021 kanë konstatuar se të miturat të cilat dërgohen në vuajtje të masës edukuese-përmirësuese janë në kontakt të vazhdueshëm me femra të rritura të cilat janë në vuajtje të dënimit me burg. Në atë kohë, ata kanë kërkuar nga Drejtoria e zbatimit të sanksioneve dhe Ministria e Drejtësisë që të ndërmarrin masa për ndarjen dhe izolimin e të miturave. Këto institucione me këtë rast kanë krijuar hapësirë të “izoluar” ku tani janë akomoduar këta të mitura, e për të cilat Avokati i popullit shprehet se edhe ato kushte nuk i plotësojnë standardet e kërkuara nga legjislacioni vendas dhe standardet ndërkombëtare, ashtu siç, në fakt, paraprakisht konstatuan MIA dhe “Samo prashaj”.
Për të kontrolluar situatën, Avokati i popullit realizon vizitë të re në mars të vitit 2022, menjëherë pas publikimit të artikujve dhe pas kërkesës sonë ndaj kësaj çështjeje. Vizita speciale konfirmoi faktet e deklaruara në artikujt dhe institucionet tona se banueset ishin vendosur në hapësirë të veçantë, por që kjo nuk siguron edhe izolim të plotë. Nga vizita e tyre u konstatua se të miturat janë në kontakt me të dënuarat gjatë marrjes së ushqimit si dhe gjatë shfrytëzimit të hapësirës së lirë dyorëshe për shëtitje dhe ajër, ndërsa shfaqet edhe problemi me mundësimin e mbrojtjes përkatëse shëndetësore.
“Këtu shfaqen edhe probleme të tjera në kuptimin e mundësimit të mbrojtjes përkatëse shëndetësore. Në kuadër të institucionit ndëshkues-përmirësuese- Idrizovë, ambulanca dhe mjeku janë sistemuar në pjesën e mbyllur të pjesës së meshkujve të burgut dhe kur kanë probleme shëndetësore, fëmijët të cilët janë udhëzuar për vuajtjen e masës edukuese-përmirësuese duhet të lajmërohen në ambulancë, gjegjësisht te mjeku dhe mjeku duhet t’i vizitojë ato atje, jo t’i dërgojnë fëmijët për shkak të procesit të izoluar. Shtrohet pyetja se si e bën mjeku atë kontroll shëndetësor tek këta fëmijë kur i njëjti nuk bëhet në ambulancë. Pra, nuk ka mjete përkatëse, nuk ka medikamente përkatëse, nuk ka instrumente përkatëse dhe kjo çështje është vërtet shqetësuese”, deklaroi Ziberi.
Ai theksoi faktin se vendi ku janë të izoluara këto vajza nuk ka pajisje për të thirrur gardianët dhe shërbimet e tjera kur kanë çfarëdo nevojë dhe ato detyrohen që përmes dritareve të tualeteve t’i thërrasin për ndihmë gardianët, përkatësisht komandantët.
Ziberi bëri të ditur se është shqetësues edhe procesi i riedukimit të tyre, duke marrë parasysh se qëllimi i masës “udhëzim në shtëpi edukuese-përmirësuese” është pikërisht riedukimi i këtyre fëmijëve dhe veçoi problemin e mungesës së procesit arsimor, për të cilin, paraprakisht publikuan MIA dhe “Samo prashaj”.
“Atje nuk zhvillohet fare procesi edukativo-arsimor, nuk janë të angazhuar në mënyrë aktive në kohën e tyre të lirë, nuk ka aktivitete fizike dhe sportive. Me një fjalë, janë lënë në mëshirë. Shikuar nga ky aspekt, pra ky repart për këta fëmijë nuk i plotëson as standardet minimale për zbatimin e masës edukuese-përmirësuese dhe arritjen e qëllimit – riedukimin e këtyre fëmijëve”, bëri të ditur ai.
Alternativat ekzistojnë, nevojitet koordinim mes institucioneve
Neni 40 i Ligjit për zbatimin e sanksioneve parashikon se “fëmijët sipas gjinisë akomodohen në shtëpi të veçanta, ndërsa mund të akamodohen në një shtëpi, por ndaras”. Në këtë drejtim, Avokati i popullit informoi se kanë përpiluar konstatim me gjetje dhe rekomandime, që do t’ia dërgojnë Drejtorisë për zbatimin e sanksioneve në mënyrë që të arrihet një zgjidhje tjetër, më adekuate.
Si një nga zgjidhjet, Avokati i popullit e përmendi udhëzimin e femrave në Institucionin edukues-përmirësues – Tetovë, gjegjësisht në Volkovi, duke krijuar paraprakisht kushte përkatëse për ndarje nga fëmijët meshkuj të cilët vuajnë masën e njëjtë. Sipas tij, në këtë mënyrë mund të ketë kushte më adekuate për riedukimin e tyre dhe mundësimin e mbrojtjes më adekuate shëndetësore, e, natyrisht, siç shprehet ai, atje ka edhe kushte më të mira për akomodim.
“Ligji thotë se mund të jenë në objekt të njëjtë, por të ndarë fizikisht. Pra, institucioni edukues-përmirësues në Volkovi ka kapacitet të mjaftueshëm. Atje ka kapacitete akomodimi për 110 persona, ndërsa për momentin atje vuajnë masën 18 persona të gjinisë mashkullore, që do të thotë se është shfrytëzuar rreth 70 për qind e kapacitetit. Kjo është e para. Së dyti, ka kushte përkatëse që mund të riadaptohen lehtësisht dhe një pjesë të ndahet plotësisht fizikisht në mënyrë që t’i plotësojë kriteret që i parashikon Ligji për zbatimin e sanksioneve. Në kushtet kur zbatohet masa që e vuajnë edhe meshkujt edhe femrat, është më lehtë të bëhet riedukimi, arsimimi dhe masat tjera për trajtimin përkatës të personave të udhëzuar për vuajtjen e masës edukuese-përmirësuese”, shprehet Ziberi.
Nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut theksojnë se kushtet në repartin e grave në SHNP Idrizovë nuk i plotësojnë as përafërsisht standardet në të cilat vajzat duhet të vuajnë masën edukuese-përmirësuese dhe nga atje theksojnë se zgjidhje alternative është akomodimi i vajzave në SHEP – Tetovë.
“Nuk kanë kurrfarë kushtesh për aktivitete sportive dhe profesionale, nuk kanë aktivitete të mjaftueshme grupore dhe individuale, proces arsimor, e as kushte përkatëse materiale, e veçanërisht për shkak se janë vetëm disa metra larg të dënuarave të rritura. Shteti duhet të gjejë zgjidhje me qëllim të akomodimit të tyre në objekt që do t’i plotësojë kushtet siç është në SHEP – Tetovë”, shprehen nga atje.
Sipas Komisionit, për këtë qëllim do të nevojitet edhe punësim i kuadrit plotësues që kërkon edhe ndarjen e mjeteve të caktuara nga buxheti i shtetit për institucionet ndëshkuese-përmirësuese dhe edukuese-përmisuese për të cilin thonë se sivjet sërish është reduktuar.
Avokati i Popullit konstatoi se Shtëpia edukuese – përmirësuese – Tetovë i plotëson standardet e parashikuara për një institucion të tillë në aspektin e hapësirës, kushteve, ushqimit, higjienës, ruajtjes së rendit dhe aktiviteteve tjera, mirëpo veçon edhe dy vërejtje që kanë të bëjnë me cilësinë e zhvillimit të procesit arsimor dhe mbrojtjes shëndetësore. Ky konstatim, siç shprehen, mbështetet me rekomandim drejtuar institucioneve kompetente.
“Nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve kemi marrë përgjigje se do të ndërmarrin masa për krijimin e kushteve përkatëse në këtë drejtim dhe në koordinim me Ministrinë e Arsimit se do të ndërmerren masa për ngritjen e cilësisë së zhvillimit të procesit edukativo-arsimor. Derisa, nga Ministria e Shëndetësisë për fat të keq nuk kemi përgjigje pozitive. Respektivisht, përgjigja e tyre barazohet me atë se nuk kanë në dispozicion kuadër të mjaftueshëm dhe nuk janë gjithmonë në gjendje t’i kryejnë me kohë detyrimet që rezultojnë nga Ligji për zbatimin e sanksioneve”, shprehet Ziberi.
Trajtimi i pabarabartë indikacion i diskriminimit potencial
Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, sipas artikujve të MIA-s dhe “Samo prashaj”, ka marrë vendim për procedurë sipas detyrës zyrtare. Në seancën e mbajtur më 17 mars të vitit 2022, KPMD-ja vendosi të veprojë dhe të përcaktojë nëse në këto raste ka indikacione për diskriminim potencial.
“Komisioni e pa këtë hulumtim në media, tashmë është diskutuar edhe më parë në raport me ekzistimin e disa indikacioneve të diskriminimit potencial në bazë të seksist dhe gjinisë dhe në qasjen në arsim në bazë të statusit personal të fëmijëve që janë udhëzuar në Shtëpinë edukuese-përmirësuese dhe komisionit mori vendim që të inicojë procedurë sipas detyrës zyrtare për shkak të indikacioneve ekzistuese që i kemi parë në media për ekzistimin e këtyre dy llojeve të diskriminimit”, deklaroi Igor Jadrovski nga KPMD-ja.
Në përputhje me Ligjin, pasi ta iniciojë procedurën, Komisioni i dërgon kërkesë për prononcim diskriminuesit potencial.
“Mund të bëjmë kontroll në terren dhe të ndërmarrim të gjitha veprimet tjera të parashikuara në përputhje me ligjin si veprim procedural i komisionit dhe më pas miratojmë mendim dhe rekomandim nëse konstatojmë diskriminim”, sqaron Jadrovski.
Në raport me atë se çfarë mendimi do të kishin në rastin konkret, ai tha se “mund të flasim pasi ta zbatojmë procedurën dhe të miratojmë mendim dhe rekomandim”.
Në raport me parashtresat tjera që kanë të bëjnë me fëmijët në konflikt me ligjin, Jadrovski informoi se deri më tani nuk ka pasur raste të tilla, por ka pasur parashtresa për diskriminim potencial në bazë të seksit dhe gjinisë dhe gjithashtu ka pasur edhe parashtresa që nënkuptojnë diskriminim në qasjen në arsim, por jo për fëmijët që janë në vuajtje të këtij lloji të masës.
Ai thekson se është jashtëzakonisht e rëndësishme që parandalimi i diskriminimit përmes kompetencës së zgjeruar të Komisionit që përfshin funksionin informues, ngritjen e vetëdijes për fenomenin e diskriminimit, pasojat e mbrojtjes dhe mekanizmat mbrojtës nga diskriminimi, të cilat, sipas tij, janë kyçe në mënyrë që të ulen rastet e diskriminimit.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të dihet se në ato raste kur do të vjen deri te diskriminimi, qytetarët nuk duhet të kenë frikë apo të druajnë se mund të denoncojnë diskriminim dhe se për këtë do të pësojnë pasoja të dëmshme, meqë e kemi Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga viktimizimi. respektivisht mbrojtje nga pësimi i pasojave të dëmshme nëse dikush denoncon diskriminim. Në këtë drejtim, do të inkurajoja qytetarët që ndihen të diskriminuar të denoncojnë diskriminimin dhe të mos vazhdojnë t’i durojnë pasojat e dëmshme nga diskriminimi pa i denoncuar ato. Nga ana tjetër, Komisioni do të punojë edhe më shumë në të ardhmen dhe do të përpiqet të aktivizojë komponentin informues dhe parandalues që do të çojë në uljen e diskriminimit”, porositi ai
MIA tentoi të kontaktojë Drejtorinë për Zbatimin e Sanksioneve në raport me qëndrimin e tyre lidhur me çështjen e akomodimit joadekuat të të miturave në Idrizovë, mirëpo deri në publikimin e kësaj storie nuk mori përgjigje.
Konstatimet janë se akomodimi i fëmijëve femra të udhëzuara për vuajtjen e masës edukuese-përmirësuese në INP Idrizovë është joadekuat, ndërsa zbatimi i procesit përkatës arsimor në institucionet ndëshkuese -përmirësuese, nuk është në nivel të kënaqshëm, si nga aspekti i sigurimit të kushteve përkatëse hapësinore, materiale dhe kadrovike, ashtu edhe nga perspektiva e vazhdimësisë dhe qëndrueshmërisë së proceseve tashmë të vendosura të arsimimit formal dhe joformal.
Rekomandimi është që të arrihet zgjidhje për transferimin e fëmijëve femra të udhëzuara në vuajtjen e masës edukuese-përmirësuese në një institucion tjetër përkatës, që do t’i plotësojë kushtet për realizimin e suksesshëm të procesit të riedukimit dhe angazhim më të madh nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me personat përgjegjës në institucione, në drejtim të ndërmarrjes së aktiviteteve dhe masave për sigurimin e atyre kushteve hapësinore, materiale dhe kadrovike , si dhe për të ruajtur vazhdimësinë në procesin arsimor.

