Pendarovski mbajti fjalim në konferencën e gjashtë rajonale të trupave për barazi në EJL

Shkup, 6 shtator – Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski pati fjalim në pritjen solemne me rastin e fillimit të Konferencës së gjashtë rajonale të trupave për barazi në Evropën Juglindore, nikoqir i të cilit është Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Siç kumtoi sot Kabineti i presidentit, Pendarovski iu dëshiroi punë të suksesshme pjesëmarrësve dhe rezultate pozitive nga konferenca, duke theksuar se shuarja dhe lufta kundër diskriminimit është sfidë jo vetëm për vendin dhe rajonin tonë, por edhe për shoqëritë dhe demokracitë shumë më të zhvilluara.

“Siç format dhe shtrirja e diskriminimit, për fat të keq, vazhdimisht zgjerohen, ashtu imponohet edhe nevoja për të përshtatur legjislacionin kombëtar, për të pranuar praktikat e mira dhe qasjen profesionale të të gjitha institucioneve dhe organizatave kompetente, në mënyrë që të sigurohet zbatimi efektiv i parimit të barazisë në praktikisht në të gjitha fushat e jetës shoqërore”, theksoi Pendarovski në fjalim.

Ai theksoi se këto konferenca rajonale paraqesin një mundësi për shkëmbimin e praktikave të mira dhe shkëmbimin e ideve dhe përvojave të dobishme ndërmjet mekanizmave kombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe organeve të barazisë, me qëllim të përmirësimit të punës së të gjithë faktorëve në këtë segment.

Presidenti theksoi se me këtë rast është mirë të kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka bërë një hap të madh përpara në këtë fushë në vitet e fundit, si legjislativ ashtu edhe praktik.

“Për luftë të suksesshme kundër diskriminimit është e nevojshme të kemi organe të pavarura, të cilat do të kenë njohuri dhe kapacitet për t’u përballur me detyrimet, dhe kjo do të thotë të zbatojnë në mënyrë konsekuente dispozitat ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Më tej nënkupton një reagim të koordinuar dhe në kohë për të parandaluar dhe sanksionuar të gjitha format e diskriminimit. Me këtë rast dua të përsëris publikisht se do të vazhdoj të mbështes plotësisht përpjekjet e Komisionit, veçanërisht në drejtim të ngritjes së vetëdijes publike, informimit dhe edukimit të qytetarëve për të gjitha llojet e diskriminimit me të cilin ballafaqohen”, tha presidenti Pendarovski.

Shefi i shtetit shprehu falënderim ndaj Misionit të OSBE-së në Shkup, i cili në vazhdimësi i mbështet aktivitetet në këtë segment të rëndësishëm, duke i mbështetur dhe forcuar mekanizmat kombëtarë kundër diskriminimit.

Kabineti i presidentit dhe Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi së fundi nënshkruan Memorandum për bashkëpunim, me qëllim të ndërmarrjes së aktiviteteve të koordinuara për promovimin e mbrojtjes dhe garantimin e gëzimit të plotë dhe të barabartë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.