Pendarovski – Levic: Maqedonia e Veriut i përket Bashkimit Evropian

Shkup, 21 prill – Ende presim fillimin zyrtar të negociatave me Bashkimin Evropian. Një pjesë të konsiderueshme të bisedave tona i kemi kushtuar sot kësaj teme dhe do të vazhdojmë edhe gjatë ditës. Letonia është një nga vendet anëtare të Unionit që prej kohësh e ka njohur gatishmërinë, përkushtimin dhe madje sakrificën tonë për të arritur qëllimin strategjik – anëtarësimin në BE. Ju dhe lidershipi politik letonez e kuptoni absolutisht se paqja dhe siguria në Evropë janë të ndërlidhura drejtpërdrejt, ndër të tjera, me vendimet e Unionit për zgjerimin e tij, tha Presidenti Stevo Pendarovski në konferencën e sotme të përbashkët me homologun e tij letonez Egils Levic, i cili qëndronë për vizitë zyrtare në vend.

Pendarovski i shprehi falënderim Levicit për angazhimin e tij të sinqertë për intensifikimin e politikës së zgjerimit me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Përvoja juaj, si vend dhe si rajon, është një argument plus për fillimin e negociatave të anëtarësimit si një kontribut për dinamizimin e procesit reformues në shoqëritë tona. Gjithashtu, gatishmëria juaj për të ndarë përvojat tona nga procesi i integrimeve evropiane është me rëndësi të madhe për ne”, tha Pendarovski.

Pendarovski informoi se me Levic kanë biseduar edhe për agresionin rus në Ukrainë.

“Fatkeqësisht, në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare, ushtria ruse ka demonstruar forcë tashmë dy muaj, duke vrarë civilë dhe duke shkatërruar qytete të tëra në Ukrainë. Maqedonia e Veriut dhe Letonia, përveç dënimit të pushtimit ushtarak rus, i janë bashkuar paketës së plotë të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Në këtë kontekst, përmes solidaritetit dhe përpjekjeve të përbashkëta me aleatët, kontribuojmë në krijimin e parakushteve për përfundimin e luftës, rivendosjen e paqes dhe sigurisë në kontinentin tonë dhe amortizimin e krizës së madhe humanitare dhe refugjatëve”, tha Pendarovski.

Sipas Pendarovskit, Ballkani dhe Baltiku, përkundër distancës gjeografike, kanë potencial të madh për afrim në shumë drejtime, veçanërisht në sferën ekonomike, tregtare, kulturore dhe digjitale.

Presidenti Levic kumtoi se kjo është vizita e tij e parë në vend dhe theksoi se ka marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Letonisë.

“Ne jemi vende me madhësi, popullsi, territor të ngjashëm dhe jemi vende mike që dëshirojmë të promovojmë më tej paqen dhe bashkëpunimin në Evropë”, tha Levitc.

Letonia, siç tha Levic, gjithmonë ka mbështetur zgjerimin e BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si për arsye strategjike, ashtu edhe për arsye politike dhe ekonomike, dhe tani, veçanërisht javët dhe muajt e fundit, ka një arsye shtesë, dhe kjo është arsyeja e sigurisë.

Ai vlerëson se situata e re në Evropë do të çojë edhe në hapje më të madhe të BE-së sa i përket zgjerimit dhe anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut sepse, siç tha ai, kjo është edhe çështje e besueshmërisë së BE-së.

Presidenti Levic iu referua edhe agresionit rus ndaj Ukrainës ose, siç tha ai, ndaj një vendi demokratik, i cili ndryshoi plotësisht situatën e sigurisë në Evropë.

Avancimi i paqes dhe sigurisë në Evropë është qëllimi ynë, tha Levic, dhe në këtë drejtim ne kemi një bashkëpunim të mirë brenda NATO-s.

Unë jam i bindur, siç tha ai, se Ukraina do të fitojë, duhet ta fitojë këtë luftë dhe duhet ta fitojë këtë luftë jo vetëm për shkak të vetes, por edhe për shkak të Evropës.