Pendarovski- Gjukanoviq: bashkëpunimi ekonomik mes Malit të Zi dhe Maqedonisë është prioritet i lartë
Cetinje, 12 prill 2022 – Relacionet mes Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të shkëlqyeshme, ndërsa detyrë e jonë është që ta ruajmë këtë nivel të lartë që popujt tanë të vazhdojnë me lidhjet e afërta edhe në të ardhmen. Avancimi i lidhjeve ekonomike duhet të jetë prioritet i lartë, janë dakorduar në pres konferencën e sotme të përbashkët në Podgoricë, presidenti Stevo Pendarovski dhe nikoqiri i tij malazez, Millo Gjukanoviq.
Pendarovski i cili është për vizitë të parë zyrtare në Mal të Zi ka informuar se ka biseduar edhe për ndodhitë aktuale në rajon dhe janë dakorduar se në dritën e luftës në Ukrainë, ata po marrin dinamikë tjetër, njofton korrespodenti i MIA-s.
“Sot kur po dëshmojmë mbi krimet e tmerrshme të shkaktuara nga invazioni rus ndaj Ukrainës konsideroj se kjo do të thotë edhe kthesë në marrëdhëniet mes BE-së dhe rajonit. Integrimet evropiane janë proces që mundësojnë transformim të thellë dhe reforma në drejtim të demokratizimit të shoqërive dhe jo rastësisht BE-ja është synim strategjik edhe i Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Veçmas e çmojmë pozitën parimore të Malit të Zi në rrugën tonë evropiane duke njohur rrezikun për të gjithë ne dhe për të vendosur çështjet bilaterale në agjendën evropiane”, ka thënë Pendarovski.
Shefi i shtetit ka thënë se bisedimet tona për anëtarësim janë test për besueshmërinë e Be-së.
“Nevojiten vendime strategjike menjëherë, në të kundërtën trendët e rënies së mbështetjes qytetare të integrimeve do të bëhen më të fuqishme”, tha Pendarovski.
Në kontekst të bashkëpunimit ekonomik, Pendarovski ka thënë se pandemia ka ngarkuar ekonomitë tona, ndërsa lufta në Ukrainë tregoi se pa dallim të asaj që aktivitetet ushtarake zhvillohen mijëra kilometra larg nga rajoni ynë, varshmëria nga tregjet botërore të energjensave ose produkteve jetësore bazë në mënyrë drastike ndikon edhe në ekonomitë tona.
Ai tha se me Gjukanoviqin kanë folur edhe për bashkëpunimin në kuadër të NATO-s.
“Sulmi rus në Ukrainë qartë konfirmoi përfitimet e anëtarësimit tonë në Aleancë. Tmerrin që shohim në Ukrainë, menduam se është i pamundur në tokën evropiane pas luftërave të tmerrshme të shekullit të kaluar. Për fat të keq, dëshmojmë për vuajtjet e milionë qytetarëve, para syve tanë zhvillohet krizë e madhe humanitare dhe e refugjatëve”, tha Pendarovski.
Sipas tij, nevojitet solidaritet edhe bashkëpunim më i madh që të dalim në fund me pasojat e aktiviteteve ushtarake ruse në Ukrainë.
“Si pjesë e NATO-s qëndrojmë pas të gjitha vendimeve të saj, ndërsa si shtet- kandidat për anëtarësim në BE jemi njëqind për qind të harmonizuar me politikën e jashtme të përbashkët evropiane dhe atë të sigurisë. Në atë rast jemi bashkuar në të gjitha pakot e sanksioneve të BE-së kundrejt Rusisë”, ka thënë Pendarovski.
Gjukanoviqi nga ana tjetër ka thënë se Maqedoninë e Veriut e konsiderojnë si partner në kontekstin më të gjerë të integrimeve euroatlantike, shtet që përfaqëson vlerat evropiane.
“Ajo është kornizë e bashkëpunimit tonë të deritashëm bazuar në vlerat e përbashkëta. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut në mënyrë të pakompromistë e përfaqësojnë demokracinë multietnike dhe sistemin evropian të vlerave. Si vend mik Mali i Zi i ndjek problemet me të cilat përballet Maqedonia e Veriut në rrugën drejt BE-së. E përshëndesim atë që Maqedonia e Veriut e bën në vitet e kaluara pas ngecjes shumëvjeçare në procesin e integrimeve të BE-së dhe iniciativave konstruktive me Marrëveshjen e Prespës me çka u krijua përshpejtim i integrimeve të BE-së”, tha Gjukanoviqi.
Ai ka shprehur keqardhje që sot Maqedonia e Veriut përballet me obstruksion tjetër në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Sipas tij, për rajonin siç është Ballkani Perëndimor është më rëndësi të jashtëzakonshme nxitja që duhet të vijë nga Brukseli dhe nga qendra politike evropiane me peshë./Zhurnal.mk

