PDK kërkon shkarkimin e ambasadorit Martin Berishaj

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar në seancën plenare që Qeveria e Kosovës ta shkarkojë ambasadorin e Kosovës në Slloveni, Martin Berishajt, pas dyshimeve për skandal financiar.

Deliu Kodra, në emër të PDK-së, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Berishajt, duke thënë se qëndrimi i tij si ambasador, është dëm i madh për Kosovën.

“Në kohën kur Kosova ka një mundësi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Kosova ka pasur skandal financiar kur përmendet edhe ambasadori Berishaj. Na është krijuar një mundësi e artë në KE për shkak të përjashtimit të Rusisë, në vend se të jemi në funksioni të jetësimit të këtij qëllimi, Kosova duhet të jetë e përfshirë në aferë tepër të madhe”, tha Deliu Kodra.

Ajo ka thënë se Presidenca e Qeveria nuk duhet ta mbrojnë, por ta shkarkojnë Berishajn.