PD: Berisha u strehua sot në partinë e Metës
Partia Demokratike ka reaguar pasi Lëvizja Socialiste për Integrim dorëzoi në KQZ koalicionin për zgjedhjet e 6 marsit, ku në të është pjesë edhe Komisioni i Rithemelimit të PD dhe Partia Demokristiane.
PD thotë në deklaratë se Sali Berisha u strehua te partia e Ilir Metës, e po i përdor demokratët për hallet e tij dhe të Ilir Metës.
“Shqipëria duhet të ndahet nga politika e vjetër që gjithçka e ka në funksion të interesave personale të politikanëve. Sot, Sali Berisha u strehua te partia e Ilir Metës, e po i përdor demokratët për hallet e tij dhe të ilir Metës. Demokratët e kanë kuptuar se Sali Berisha dhe Ilir Meta po i përdorin, prandaj çdo ditë demokratët po distancohen nga farsa Berisha. Tashmë jo vetëm për demokratët, por për të gjithë shqiptarët është e qartë se nëse zgjedh Berishën e Metën merr Ramën, nëse zgjedh Ramën merr Berishën dhe Metën”, thuhet në reagim.
Ndryshe, Lëvizja Socialiste për Integrim i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrimin e koalicionit të ri “Shtëpia e Lirisë”, në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme zgjedhore të 6 marsit në 6 bashki të vendit, duke zyrtarizuar kështu pjesëmarrjen e saj.
Sipas dokumentit, koalicioni përbëhet nga PD- Komisioni i përkohshëm i Rithemelimit, LSI dhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës. Sipas dokumentit të nënshkruar nga sekretari i Përgjithshëm i partisë, Ermal Brahimllari, shkronjat nistore të koalicionit do të jenë SH-L./tch/