PD akuzon qeverinë për dhënien me koncesion të Butrintit, Rama: Ju i gjetët pronarin teatrit antik, budallallëkun e keni në ADN
Menaxhimi i Butrintit ishte tema e nxehtë e një tjetër diskutimi në seancën e sotme plenare. Kryeministri Edi Rama sqaroi se investimi do të bëhet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, duke theksuar se nuk është mëkat që Butrinti do të ketë aktivitete fitimprurëse. Ai shtoi po ashtu se Parku i Butrintit do të jetë i pari që do të hyjë në hartën e parqeve me zero përqindje karboni.
“E dini kush është fondacioni shqiptaro-amerikan? Është një kontributor i rëndësishëm në të gjithë procesin e zhvillimit të vendit me kohë e me vakt dhe është një bashkëpunëtor i qeverisë, jo sot por i të gjitha qeverive të Shqipërisë prej kohësh. Ju po akuzoni se fondacioni shqiptaro-amerikan, kontribut i një grupi njerëzish që jetojnë në SHBA dhe mbledhin fonde për Shqipërinë, na paska hyrë në marrëveshje sekrete me qeverinë për të hapur bare dhe restorante në Butrint sepse për ju bari dhe restoranti janë akoma e vetmja mënyrë si e shikoni ju fillimin e konvertimit të politikës në para sepse ju jeni autorët e kioskave. Jeni të njëjtët, nuk ndryshoni, nuk ka rëndësi fare se disa nga ju nuk kishin lindur kur u hapën kioskat. Kopeja juaj ka logjikën e vet, ju kioskën e keni në kokë. Keni të gjithë moshën e atij të vdekurit që e dini për të gjallë. Parku i Butrinit sot, falë punës që kemi bërë ne, këtyre marrëveshjeve, prej vitesh ka vazhduar të qëndrojë në fuqi bashkëpunimi dhe ka vazhduar të ecë puna në Butrint në saj të këtyre marrëveshjeve që kontribuojnë për këtë vend. Butrinti patjetër që do ketë aktivitete fitimprurëse, ky nuk është mëkat, por ju duhet të shikoni se për çfarë do përdoren për Butrintin. Do përdoren për Butrintin. Parku do bëhet siç themi ne, ju flisni sa të doni, ne dimë se çfarë bëjmë, ju nuk dini se çfarë flisni. Partneri ynë është fondacioni shqiptaro-amerikan. Ky fondacion nuk je kredi, nuk kërkon asgjë nga shteti shqiptar veç partneritetit. Ata investojnë dhe ne investojmë, së bashku siç kemi bërë në shumë projekte. Në Butrint po kalohet në modelin e administrimin e parqeve kombëtare në botën e zhvilluar. Qëllimi është që Butrinti të jetë Park Kombëtar që të vazhdojë të rrisë fuqinë atraktive, të vijojë të zhvillohet në sensin e gërmimeve arkeologjike dhe ne jemi krenarë për këtë marrëveshje dhe shumë falënderues fondacionit që ka marrë përsipër këtë investim, të kërkuar prej nesh. Ne jemi shumë krenar për këtë marrëveshje dhe falënderues që fondacioni ka marrë përsipër të bëjë këtë investim. Fondacioni ka pranuar të hyjë në këtë proces dhe Butrinti do të jetë edhe e para zonë e cila do të hyjë në hartën e zonave pa asnjë përqindje karboni, pra komplet zonë e gjelbër në sensin jo me pemë dhe shkurre por me të gjitha aktivitetet e brendshme pa asnjë përqindje karboni. Për të gjitha këto, jemi shumë krenar”, tha Rama. Ai e ka cilësuar budallallëk qëndrimin e Partisë Demokratike për çështjen e Butrintit.
“Sot e gjithë ditën ka një pretendent fizik, subjekt fizik për Butrintin si pronë familjare. I keni njohur pronën në teatrin Antik të Butrinti një subjekti fizik. Keni pranuar se sot në Shqipëri jeton stër, stër stër stër stër nipi i atyre që ndërtuar teatrin antik. Këta jeni ju. Budallallëku në familjen tuaj është sëmundje ngjitëse. E keni në ADN-në e partisë tuaj që të trashëgoni budallallëkun brez pas brez dhe që ta bazoni të gjithë përsiatjen tuaj për t’i bërë njerëzit për budallenj. Jeni si ajo pjesa e ndarë përgjysmë nga e njëjta gjë. Vini flini këtu për vlerat e trashëgimisë sonë kulturore ju. Ju që kulturalisht jeni kërcënimi më i madh i vendit tonë, agresion permament mbi shoqërinë tonë. Ju që kulturalisht kërkoni ta ktheni Shqipërinë në kohën kur luftonte Amerikën”, tha kryeministri Rama.
Deputetja e PD, Ina Zhupa iu përgjigj kryeministrit Edi Rama për çështjen e Butrintit duke i thënë se do ta çojë në SPAK. Në fjalën e saj në Kuvend, ngre pyetje përse në planin e menaxhimit nuk u përfshi asnjë ekspert apo studiues shqiptar. Zhupa thotë se qeveria po e trajton Butrintin si mall tregtar, ndaj të mos çuditet askush që të blihen bileta avioni për të justifikuar milionat.
“Nëse është dhënë pronë private ndonjëherë në Butrint, kryeministri mund ta çoje në SPAK. Nëse nuk do të shkojë në SPAK se ka frikë se i hapen çështje të tjera, të ma japë mua se e çoj. Butrinti do jepet me koncesion, këtë nuk e mohoi as kryeministri.
Butrinti tha ka partnerët tanë amerikanë, në fakt nuk na komplekson, kjo është vetëm fasada, DASH thotë se korrupsioni është endemik në të gjitha degët dhe nuk ka sesi ministria jonë e kulturës të mos jetë pjesë e këtij korrupsioni.
Na akuzoi si kope, në fakt ne nuk jemi grup i strukturuar kriminal, nuk jemi bandë. Me të njëjtin pasion, Rama ka mbrojtur aferën e inceneratorëve. Kjo gjë fillon që në vitin 2018, ligji për trashëgiminë kulturore që është bërë në mënyrë antikushtetuese dhe bie në kundërshtim me Konventën e Parisit. Zonja Kumbaro, mund të jeni kumbarja e këtij projekti por nuk do të thotë ta mbroni ju, na lini ta mbarojmë.
Ju na vini dhe na thoni që shteti do të jetë aty se do të jetë ministrja Elva Margariti pjesë. Është interesante që Margariti prezantohet si pjesë e bordit si emër, por jo institucion. Në bord ka 5 persona dhe Margariti është vetëm një dhe nuk ka asnjë pikë të vendimit të gjykatës ku thuhet se të ketë të drejtë vetoje. 4 personat e tjerë të cilët janë privat dhe kjo është e zeza mbi të bardhë, vendimi i gjykatës, është fakt, nuk e them unë.
Ju arritët deri aty sa bëtë planin e mnesaxhimit të integruar pa ërfshirë asnjë ekspert, asnjë studiues shqiptar të cilët sot janë të githë kundër. Pse mendoni se nuk kishte vlera për tu pyetur Auron Tare e arkeologë e studiues të tjerë shqiptarë?
Ne rrezikojmë identitetin tonë shqiptar, ne nuk mund ta lejojmë këtë gjë se jemi të votuar nga ata qytetar për të mbrojtur atë që po tentoni ta vidhni me ligje e vendim qeverie. Qeveria juaj ka vendosur që Butrnit të trajtohet si mall tregtar. Mos u çudisni si tek inceneratorët të kemi para për bileta avioni, për të blerë miell e sheqer, para për të justifikuar milionat që do të merren nga Butrinti”-tha Zhupa.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka theksuar sot në Kuvend se Butrinti nuk do të jepet me koncesion, por do të ketë një përfaqësim më të mirë dhe formulë më të mirë menaxhimi.
“Në seancë na u servir një spektakël shumë i shëmtuar. Është trillimi ai që ne duhet të shmangim dhe më vjen keq që është abuzuar me imazhin publik dhe është harruar që ne jemi shembulli publik. Nuk besoj se kemi parë më parë gra që shkulin mikrofona dhe i bien tavolinave me grushte. Mua më rëndon që këtë e bën një grua. Mos të trillojmë në të gjitha çështjet që trajtojmë. Nuk po jepet Butrinti me koncesion. Butrinti po kthen kokën drejt Europës, botës, me përfaqësim më të mirë dhe formulë më të mirë menaxhimi”, tha ministrja.
Ina Zhupa: E drejta e informimit ju është hequr juve dhe deputetëve. Butrinti do të jepet me koncesion. Pasuria kombëtare, trashëgimia kulturore, identiteti jonë kombëtar janë në rrezik për ti dhënë një fondacioni privat që ka 4 individë privat dhe ministren e Kulturës. Shteti e lëshon Butrintin, i cili është siti arkeologjik i vendit, prodhon më shumë para, ka më shumë vizitorë. Deri tani në arkën e Butrintit janë 2 milionë dollarë që do i kalojnë fondacionit që do e marrë në menaxhim.
Në vitin 2018 kanë miratuar ligjin e trashegimisë kulturore për t’i hapur rrugë dhënies me koncesion. Jepet gjithashtu për përfitim ekonomik dhe pse quhet organizatë jofitimprurëse, e drejta e informimit të cdo qytetari është të dijë se si kjo qeveri atë që jep cdo para, Butrintin e jep me koncesion dhe nuk provon modelin e ri me një monument që është lënë në harresë.
Lindita Nikolla: Do ju ndërpres fjalën nëse vijoni, përmbahuni rendit të ditës. Nuk po flisni për të drejtën e informimit.
Ina Zhupa: Për këtë po flas. E drejta ime si cdo deputete që kur kërkohet plani i biznesit të veprimit të mos më vijë një faqe e bardhë. Do i drejtohemi dhe komisionerit për infromimit për të marrë parasysh që nuk informohemi. Butrinti është biznes fitimprurës për një fondacion me qëllim që të pasurohet. A e dini që në Butrint do të ndërtohen restorante, bare, teatro dhe këtë mund t’jua faktoj me dokumente që kam arritur t’i siguroj.
Lindita Nikolla: Do ju ndërpres fjalën, fokusohuni në raport.
Ina Zhupa: Nga shiu ramë në breshër. Meqë nuk i lejuam të ndërtohet një bar, kanë menduar ta ndërtojë privati. Mund të vendosë edhe bileta të tjera për aktivitete të tjera brenda Butrintit. Pra minierë ari për të kaluar të paktën 50 milionë euro në arkën e një fondacioni privat.
Elva Margariti: Një keqardhje dhe kompliment. Keqardhje se bën pyetje, ke marrë përgjigje dhe ende nuk kupton asgjë. Jemi ende në partinë e numrave të gabuar. Kompliment i madh, je regjisore e humbur. Jam shumë e keqardhur që vazhdojmë dhe kapemi tre ditë, të paktën të ndërrosh pyetjet. Fondacioni menaxhohet nga shteti shqiptar. Krijohet se Butrinti ka potencial.
Edmond Spaho: Të të vijë turp.
Lindita Nikolla: Uluni mos flisni nga vendi.
Elva Margariti: Shyqyr që shkove tani ta vizitoje dhe sërish nuk e kuptove. E keni parasysh ku është kulla veneciane? E keni parë ndonjëherë? Ato do të rijetëzohen. Kemi një protokoll bashkëpunimi që nuk keni dashur ta kuptoni.
Ina Zhupa: Shiko Instagramin tim se kur kam qenë në Butrint.

