Pasiguritë e fermerëve në Shqipëri, investimet të rrezikuara nga rritja e çmimeve

Dy vëllezërit fermerë, Altin dhe Artur Meto nga fshati Qarr, Fier kanë vendosur që të kultivojnë grurë dhe misër në sipërfaqe të mëdha të lëna djerrë prej vitesh.

Të nxitur edhe nga mungesat e tregut, ata janë kthyer nga emigracioni vetëm për të punuar me këto kultura bujqësore.

Rritja e menjëhershme e çmimeve të punëve në bujqësi, si plehrave dhe inputeve, kanë vënë në dilemë investimin e tyre.

Në këtë periudhë tregu ndërkombëtar i drithërave është në krizë, ku fermerët fierakë po shfrytëzojnë më mirë sipërfaqet e tokave fushore.

Ata kanë marrë ish-tokat djerrë me qira për t’i mbjellë ato me misër ose grurë.

“Ne zgjodhëm dhe jemi kthyer nga emigrimi për të arritur qëllimin dhe të punojmë këtu. Por nuk jemi të sigurt deri ku mund të arrijmë me këto çmime”, tha Arturi.

Ata kanë marrë me qira 17 hektarë tokë nga fondi i tokës arë, prej rreth 6 mijë hektarë tokë e lënë djerrë nga 35 mijë hektarë tokë të punuar në Bashkinë Fier.

Vëllezërit kanë mbjellë dhjetë hektarë misër dhe 7 hektarë me grurë, por rritja e papritur e çmimeve të punimeve të tokës, me rreth 40%, ka sjellë një kosto prodhimi shumë të lartë.