Pas vendimit të MINT-it për Klan Kosovën, Kelmendi: Kemi luftuar edhe në kohën e Millosheviqit ta ruajmë fjalën e lirë, mendimin e lirë
Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për pezullim të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.
Kelmendi përmes një statusi në rrjetin social në Facebook është shprehur se s’ka asgjë shqetësuese sa i përket operimit të Klan Kosovës, duke specifikuar se puna e mediumit është publike, edhe me qasje kritike pavarësisht kush është në pushtet e kush në opozitë.
Ai tha se breza gazetarësh luftuan me çdo kusht edhe në kohën e Milosheviqit, edhe të luftës, edhe të UNMIK-ut e edhe të gjitha qeverive, për ta ruajtur lirinë e pavarësinë, fjalën dhe mendimin e lirë.
“Shqiptarët kanë derdhur edhe gjak për ta arritur lirinë. Breza gazetarësh kemi luftuar më çdo kusht edhe në kohën e Millosheviqit, edhe të luftës, edhe të UNMIK-ut e edhe të gjitha qeverive ta ruajmë lirinë e pavarësinë. Fjalën e lirë, mendimin e lirë.
Pushtetet gjithnjë mund të gjejnë një pretekst për t’ia mbyllur gojën një gazetari, një medie. Sot thuhet paska qenë një pasaportë diçka, nesër një pyetje e gabuar në konferencë shtypi, pasnesër ngjyra e llogos së ndonjë televizioni”, ka thënë Kelmendi.
Lexoni të plotë reagimin e Kelmendit:
”Nuk do t’i lëmë! Nuk do t’ia dalin!
T’i bimë shkurt: Nuk ka asgjë shqetësuese sa i përket operimit të Klan Kosovës. Klan Kosova është medium i Kosovës, me mbi 200 të punësuar qytetarë të Republikës së Kosovës, me nja 100 mijë orë transmetimi të lajmeve dhe programeve të tjera që promovojnë dhe angazhohen për të mirën e Kosovës.
Puna e Klan Kosovës është publike. Në ekran, në radio, në portal, në rrjete sociale.
Dhe, natyrisht, si çdo media e lirë dhe në vend demokratik, Klan Kosova ka edhe qasje kritike ndaj fenomeneve të ndryshme në shtet e shoqëri, pavarësisht kush është në pushtet e kush në opozitë.
Për këtë arsye, Klan Kosova sot është mediumi më i përcjellur në Republikë.
Çka i bjen kjo?
Përpjekje për frikësim.
Nëse këtë ia bëjmë një medie si Klan Kosova, paramendojeni sa çka iu bëjmë të tjerëve.
Shqiptarët kanë derdhur edhe gjak për ta arritur lirinë. Breza gazetarësh kemi luftuar më çdo kusht edhe në kohën e Millosheviqit, edhe të luftës, edhe të UNMIK-ut e edhe të gjitha qeverive ta ruajmë lirinë e pavarësinë. Fjalën e lirë, mendimin e lirë.
Pushtetet gjithnjë mund të gjejnë një pretekst për t’ia mbyllur gojën një gazetari, një medie. Sot thuhet paska qenë një pasaportë diçka, nesër një pyetje e gabuar në konferencë shtypi, pasnesër ngjyra e llogos së ndonjë televizioni.

