Partitë shpenzuan shumë më tepër se që raportuan të hyra gjatë vitit 2021

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka shpenzuar mbi 1.3 milion euro për fushatat zgjedhore të vitit të shkuar.

Më 2021 u mbajtën zgjedhjet qendrore dhe ato lokale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar të hënën shpenzimet e partive politike. Nga të dhënat e publikuara, bëhet e ditur se LVV-ja ka pasur të hyra gjatë vitit 2021 mbi 2.1 milionë euro, kurse ka shpenzuar mbi 2.3 milionë euro, pra 200 mijë euro më shumë.

Përveç fushatës, Vetëvendosje ka shpenzuar mbi 600 mijë euro “për paga dhe kompensime”.

Ndërkohë partia e dytë me më së shumti shpenzime në fushatat e vitit të shkuar është Lidhja Demokratike e Kosovës. Shpenzoi mbi 750 mijë euro.

Sipas të dhënave, LDK-ja ka pasur shpenzime dyfish më shumë se të hyrat përgjatë vitit 2021.
Ky subjekt ka pasur të hyra gjatë vitit mbi 583 mijë euro, ndërsa ka shpenzuar 1 milion e 178 mijë euro, pra deficiti i përgjithshëm është gati 700 mijë euro.

Partia e dytë opozitare me më së shumti shpenzime për fushatat zgjedhore të vitit që shkoi është PDK-ja me mbi 362 mijë euro të shpenzuara.

Edhe PDK-ja ka shpenzuar më shumë se që ka pasur të hyra përgjatë një viti. Shpenzoi 49 mijë euro më shumë se që paraqiti të hyra.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shpenzuar mbi 310 mijë euro gjatë fushatave zgjedhore.

Njësoj, edhe kjo parti, sipas të dhënave të KQZ-së, ka pasur më shumë shpenzime sesa të hyra përgjatë vitit 2021.

Me mbi 294 mijë euro të hyra dhe mbi 477 mijë euro shpenzime, AAK-ja ka regjistruar deficit prej 182 mijë eurosh gjatë 2021-tës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se këto raporte financiare janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime.