Parlamenti miraton ndryshimet në qeveri

Në një seancë të jashtëzakonshme, Parlamenti miratoi ndryshimet në qeveri, ku pas shkarkimit të Arben Ahmetajt, në karrigen e Zv/Kryeministrit u ngjit Ministria Belinda Balluku, e cila do të mbajë njëherazi edhe detyrën e Ministres për Energjinë dhe Infrastrukturën.
Kuvendi miratoi gjithashtu edhe emërimin e Kryenegociatores Majlinda Dhuka në postin e Ministres së Shtetit.
Por edhe kjo seancë nuk kaloi pa përplasje mes palëve. Sali Berisha apeloi për respektimin e rregullores së Kuvendit duke kërkuar debat për ndryshimet në qeveri.
“Vendim që merret në kuadrin e monizmit të plotë të vendosjes nga mazhoranca e drogës dhe krimit.”
Argumenti i tij u hodh poshtë nga kreu i grupit parlamentar të socialistëve dhe Kryeparlamentarja Nikolla.
Taulant Balla: Ndryshimet e qeverisë miratohen pa debat.
Lindita Nikolla: Kam vendosur që dekretet s’do bëhen pjesë e diskutimit.
Pas këtij qëndrimi të socialistëve, Berisha i dha një paralajmërim Kryeministrit Rama.
“Padrinoja i Ahmetajt e ka emrin Edi Rama. Në emër të ligjit të këtij parlamenti hap debatin siç parashikon rregullorja dhe mos përdorni arbitraritetin. Mos të mendojë Edi Rama se duke i shpëtuar gjykimit në parlament, do i shpëtojë gjykimit në rrugët e Shqipërisë, kurrë jo.”
Nga ndryshimet në qeveri, debati kaloi tek bashkepunëtorët e ish-sigurimit të shtetit, ku Balla kërkoi me urgjencë trajtimin e çështjes së sjellë në parlament nga autoriteti i dosjeve.
“Ngritja e bashkëpunetorëve të shtetit në majat e piramidës shtetërore kërkon reflektim urgjent dhe të menjëhershëm sikundër kërkon që një sekretar partie e përdhos këtë kuvend me gjuhën e tij.”
Menjëherë pas votimit në parlament është kryer edhe ceremonia e betimit para Presidentit e ministrave të rinj. Pas leximit të formulës dhe dekretet përkatëse të emërimeve, Balluku dhe Dhuka bënë betimin me dorën në kushtetutë.