Parku nacional i malit Sharr do të fillojë të punësojë renxherë për të filluar aktivitetet për mbrojtjen e malit

Shkup, 16 shtator – Në Parkun nacional tani për tani vetëm drejtori është i punësuari i vetëm, ndërsa paralajmërohen punësime me të cilat do të ketë edhe punë në terren me qëllim që të ketë mbrojtje të mjedisit jetësor. Kjo ishte paralajmëruar në debatin e sotëm publik për menaxhim dhe mbrojtje të mjedisit jetësor të parkut nacional të malit Sharr për periudhën 2022 – 2031 në Universitetin në Tetovë nga kryesia e këtij institucioni të ri dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor.

“Ka shumë punë e cila është përgatitur nga drejtori dhe ekipi i drejtorit, po vonohet për disa punë për fat të keq, si punësimi i personave të rinj, por, kjo është procedurë e cila zgjat. Për herë të parë prej vitit 1956 ne krijojmë park nacional dhe të gjithë së bashku e mësojmë procedurën dhe çka është me rëndësi të jetë e suksesshme në fund. Edhe pse jemi vonë, më mirë të jemi vonë pak dhe të jetë me sukses se sa të shpejtojmë dhe të gabojmë diku. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi aktivitete, drejtori tërë kohën është në terren dhe sot debatojmë të gjithë të jemi të kënaqur edhe qytetarët edhe sektori privat por edhe ta mbrojmë Sharrin”, deklaroi para gazetarëve ministri Naser Nuredini.

Drejtori i IPPN Mali Sharr, Ibrahim Dehari thotë se puna deri më tani është në korelacion dhe bashkëpunim me institucione të tjera në drejtim të mbrojtjes së malit Sharr. Paralajmëroi se këtë vit do të ketë dhjetë punësime të rregullta dhe pesë me kontratë në vepër.

Jovan Bozhinovski nga klubi malor Luboten thotë se parku do të ketë mbështetje prej tyre si miq të Sharrit, si klub, por kjo nevojitet nga të gjitha palët e involvuara. Ai paralajmëron se në terren punët nuk kanë ndryshuar dhe edhe më tej ndodhin aktivitete të cilat e dëmtojnë malin.

Sipas Bozhinovskit pas shpalljes duhet të kalojnë prej dy deri në pesë vite që parku nacional si institucion të fillojë ë funksionuari normalisht dhe të ketë rezultate.