Parandalohet transport i drogës në vlerë prej 100.000 eurove, bastisje në Haraçinë, arrestohen dy shpërndarës
Shkup, 24 mars – Dy persona nga Haraçina e Shkupit janë arrestuar sot, në automjetin e së cilëve nëpunësit policorë i kanë zbuluar 35 kilogramë marijuanë, në vlerë prej 100.000 eurosh.
“Sot në mëngjes nga ana e nëpunësve policorë të Departamentit të Policisë Kriminalistike-Sektori për Tregti të Palejuar me Drogë dhe Materie të Rrezikshme-Njësiti për Tregti të Palejuar me Drogë në bashkëveprim me Departamentin për Operacione Speciale Policore-NJSAT “Tigri”, Skuadra Operative për Ndjekje pranë SPB Shkup dhe SPB Tetovë nga liria janë privuar dy persona nga Haraçina-Shkup, gjatë së cilës është parandaluar transporti prej rreth 35 kilogramë drogë”, informojnë nga MPB.

Në orët e hershme të mëngjesit në Pikëpagesën Tetovë, në autostradën Tetovë-Gostivar, nëpunësit policorë kanë dhënë shenjë ndalese për automjetin e pasagjerëve “range rover”, me tabela regjistrimi të Shkupit, i drejtuar nga K.A. (32), në të cilin bashkëudhëtar ka qenë O.A. (23), të dy nga fshati Haraçinë. Personat nuk e kanë respektuar shenjën e dhënë për ndalimin e automjetit, por kanë tentuar të arratisen, gjatë kësaj duke dëmtuar automjetin policor, por shumë shpejt janë ndaluar dhe janë privuar nga liria.

“Gjatë kontrollit të kryer në pjesën e bagazhit të automjetit janë gjetur katër thasë me marihuanë, në sasi të përgjithshme prej rreth 35 kilogramë, në vlerë prej rreth 100.000 eurove. Në vendin e ngjarjes në Pikëpagesën Tetovë ka dalë Prokurori Publik i PTHP Tetovë i cili ka udhëhequr ekspertizën. Pak më vonë, pas marrjes të urdhërit gjyqësor, janë kryer bastisje edhe në shtëpitë e dy personave në fshatin Haraçinë, gjatë së cilave janë gjetur sende që kanë të bëjnë me rastin”, njoftojnë nga MPB.
Që atje potencojnë se kundër A.K., MPB-ja një kohë më të gjatë ka ndërmarrë masa dhe aktivitete për gjetjen dhe privimin e tij nga liria, për arsye se për të njëjtin ka qenë i shpallur urdhërarrest nacional për shkak të arratisjes nga Burgu i Shtipit, ku ka vazhdimin e vuajtjes së dënimit me burg prej 6 vjet e gjashtë muajve, kurse është kërkuar edhe me urdhëresa për kryerjen e më shumë veprave penale, si për kontrabandë me emigrantë dhe kontrabandë me drogë, informoi zëdhënësja e MPB-së, Suzana Pranjiq-Talevska.

Të dy personat janë arrestuar në SPB Tetovë dhe kundër tyre gjatë ditës së sotme do të parashtrohet kallëzim penal për “prodhim të palejuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, sipas nenit 215 të kodit Penal.
“Aksioni i sotëm është edhe njëri nga një numër i madh i aksioneve të MPB-së në periudhën e fundit të ndërmarra në luftën kundër tregtisë së palejuar me droga narkotike, por edhe një numër i madh i masave dhe aktiviteteve kundër të gjitha llojeve të kriminalitetit”, potencojnë nga policia.

