Paralajmërohet dorëheqja e Vuçiqit, shkak Kosova

Kryetari i Bordit Ekzekutiv të Partisë Progresive Serbe (SNS), Darko Glishiç ka deklaruar se Presidenti serb Aleksandër Vuçiç mund të japë dorëheqjen dhe arsyeja dyshohet se lidhet me situatën e Kosovës.

“Nëse presidenti Vuçiç qëndron në këmbë dhe jep dorëheqjen, mendoj se ky është fundi i SNS-së, fundi i karrierës që SNS pati në skenën politike të Serbisë dhe mendoj se skenari më i keq i mundshëm për Serbinë do të pasojë pas kësaj të cilën as që mund ta imagjinoj”, ka thënë ai, pas takimit kushtuar zgjidhjes së situatës në Kosovë.

Presidenti Vuçiç u takua dy ditë më parë (21 janar) me emisarët e SHBA-ve dhe BE-së lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, takim të cilin e konsideroi si një nga ditët më vështira për Serbinë, ndërsa paralajmëroi telashe dhe probleme për vendin.

“Dje ishte një nga ditët më të vështira për vendin tonë dhe kurrë nuk kam fshehur nga njerëzit në Serbi kur ndodhin gjëra të tilla. Ne do të kemi shumë telashe dhe probleme me të cilat do të përballemi në të ardhmen dhe për këtë na duhet unitet dhe nga ata që e prisja për shkak të përgjegjësisë që duhej të tregonin, përkatësisht përfaqësuesit tanë politikë, këtë nuk e morëm”, tha Vuçiç.