Papa Françesku mesazh për të rinjtë në 10 vjetorin e vizitës në Tiranë: Ju jeni e ardhmja e rajonit
Një dekadë pas vizitës historike të Papa Françeskut në Tiranë, Ati i Shenjtë i është drejtuar rinisë shqiptare, me një mesazh që promovon paqen dhe shpresën.
Tek sa po mbahet për herë të parë në Shqipëri takimi MED24, një iniciativë e Papa Françeskut për të bashkuar të rinjtë e Mesdheut, gjatë konferencës me temë: “Dialogu ndërfetar mund të luajë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e paqes”, Imzot Arjan Dodaj, ka prezantuar para të rinjve nga i gjithë Mesdheu, një video-mesazh të Atit të Shenjtë drejtuar të rinjve shqiptarë.
Mësoni së bashku që të lexoni shenjat e kohës. Soditni ndryshimin e traditave tuaja si një pasuri, një pasuri të kërkuar nga Hyji. Uniteti nuk është uniformitet dhe diversiteti i identiteteve tona kulturore dhe fetare është një dhuratë e Hyjit. Pra, Unitet në Diversitet! Lejoni të rriteni në vlerësimin reciprok, siç dëshmojnë të parët tuaj.
Vendosni në qendër zërat e atyre, që nuk dëgjohen. Po mendoj më të varfërit, që vuajnë të qenit të konsideruar si barrë, ose si trazim. Po mendoj ata, që ndonëse të rinj, shpeshherë duhet të braktisin vendin e tyre për një të ardhme më të mirë. Kini kujdes për secilin: pasi nuk flitet për numra, por për persona dhe çdo person është i shenjtë. Flitet për fytyra, dinjiteti i të cilave duhet të jetë i promovuar dhe i mbrojtur: T’i biem mohit kulturës së frikës për të hapur portën e mikpritjes dhe të miqësisë!
Mësoni të dini të ecni në gjurmët e martirëve tuaj! Kuraja e tyre është dëshmi e gjallë, që mund të frymëzojë angazhimet tuaja për t’iu rezistuar të gjitha dhunave, që shpërfytyrojnë njerëzinë tonë, siç diti të bëjë, vetëm 22 vjeçe, e Lumja Marije Tuci.
Ju besoj te Maria, Nëna e Këshillit të Mirë, që gjithmonë hedh vështrimin e Saj me dashuri dhe dhimbje mbi ngjarjet e tokës suaj. Mësoni nga Zemra e Saj e Papërlyer që të jeni shtegtarë të palodhur të shpresës e të ndiqni shenjat e Hyjit që Mesdheu të rigjejë fytyrën e vet më të bukur: atë të Vëllazërisë dhe të Paqes dhe që të mos jetë më një varrezë.”