Pagesa avans, mbështetje bazë dhe shtesë – model i ri i subvencionimit në bujqësi
Shkup, 13 tetor – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski sot në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Dimitar Kovaçevski në Qeveri e prezantoi modelin e ri për subvencionim në bujqësi.
Nikollovski theksoi se modeli i ri ofron përgjigje dhe zgjidhje për të gjitha dobësitë e identifikuara në sistemin aktual të subvencioneve. Me të, mbështetja e mëparshme për fermerët nuk shkurtohet, por rishpërndahet në disa programe me qëllim të efikasitetit më të madh dhe pagesën në kohë.
Modeli i ri, të cilin ministri e prezantoi mëngjesin e sotëm në seancën e qeverisë, parashikon shtim të kontrollit dhe kushte shtesë për marrjen e mbështetjes financiare, eliminimin e mundësisë së parregullsive dhe forcimin e produktivitetit, dhe Agjencia e Pagesave merr një periudhë më të gjatë për kryerjen e kontrolleve nëpër të gjitha sistemet.
“Ne po e zëvendësojmë sistemin e vjetër të subvencioneve, sipas të cilit fermerët merrnin subvencione pa treguar prova të prodhimit, me një të ri, të ashtuquajturin de capling i cili i detyron ata të dëshmojnë se kanë arritur dhe kanë dorëzuar prodhimin. Ne po e përshtatim bujqësinë maqedonase në rrugët evropiane. Ne i vendosim të gjithë aktorët në një sistem të organizuar, duke zvogëluar mundësinë e pagesës me para në dorë, duke parandaluar ekonominë gri – një sistem që ka një volum të shtuar kontrollesh dhe një sistem që garanton prodhim më të madh të ushqimit vendas”, vuri në dukje ministri.
Siç shpjegoi Nikollovski, me modelin e ri të subvencionimit, fermerët përmes Programit për Mbështetje Financiare me avans do të marrin subvencionin bazë për mbajtjen e tokës në gjendje të punueshme. Subvencionimin bazë do ta merrte çdo fermer që kultivon një sipërfaqe bujqësore, që do të mbjellë një kulturë vjetore ose do të mbajë një plantacion të përhershëm, një fermer që paraqet një kërkesë dhe që plotëson kriteret minimale të përcaktuara pa kushtin e prodhimit të dorëzuar.
Mundësia e pagesës avans në një pjese të subvencioneve bazë është dhënë edhe për blegtorinë.
Në sistemin e ri do të ketë edhe një subvencion shtesë – për kulturat dhe produktet e përcaktuara në mënyrë strategjike. Subvencioni shtesë është i lidhur me rendimentin e arritur, por edhe me dorëzimin e prodhimit në objektet e regjistruara vendore ose përdorimin e prodhimit për prodhim vetanak të produkteve finale të regjistruara për shitje nga pragu.
“Ne u japim përparësi kulturave dhe produkteve me rëndësi strategjike për të siguruar një rendiment më të lartë të kulturave strategjike dhe varësi më të ulët të shtetit nga importi. Ne e drejtojmë prodhimin vendor në kapacitetet e përpunimit vendas, duke nxitur prodhimin me kontratë”, nënvizoi Nikollovski.