Osmani për vajzat që takon: Kur i pyes se sa prej tyre duan të bëhen presidente, të gjitha e ngritin dorën

Duke qenë kryetare e Republikës, ajo pret në presidencë shumë fëmijë, të cilët, pa përjashtim, i pyet për aspiratat e tyre. Vajzat, me shumicë, i thonë se duan të bëhen si ajo, e djemtë kanë tjera qëllime.

“Shumë nga djemtë dëshirojnë të bëhen policë, që tregon edhe për inspirimi dhe entuziazmin që nxit Policia e Kosovës por edhe vajzat natyrisht. Kur i pyes sa nga ju dëshironi të bëheni presidente ose president, të gjitha vajzat e ngritin dorën”, ka treguar Osmani në një intervistë për emisionin “Prijmë” në Klan Kosova.

“Kjo tregon që të gjitha e dinë që mund ta arrijnë një gjë të tillë kurse një hezitim vërehet më shumë tek vajzat më të reja kur vijnë të mosha e shkollës së mesme, ngase ato tashmë janë në një moshë që janë ballafaquar me sfida të tilla”.

Sipas saj, vajzat e vogla shpesh ndryshojnë aspiratat e tyre gjatë rrugës pasi përballen me shumë sfida, përfshirë edhe dhunën ‘online’.

Në intervistë me gazetaren Naile Dema, presidentja potencoi rëndësinë e edukimit dhe përkushtimit në thyerjen e stereotipeve gjinore dhe promovimin e barazisë. Ajo tha se përderisa puna e palodhur çon drejt suksesit, gjinia nuk duhet të shërbejë si pengesë për arritjen e ambicieve.

Osmani apeloi te të rejat dhe të rinjtë të besojnë në aftësitë e tyre dhe të përpiqen për më të mirën, pavarësisht nga normat apo pritshmëritë shoqërore.

Emisioni “Prijmë” është një projekt i përbashkët i Klan Kosova dhe NDI.