Osmani për turbullirat brenda BDI-së: Fjalën e fundit e tha dje Ali Ahmeti
Shkup, 26 shtator – Është lajm i rrejshëm informata për ndërrimin tim dhe me siguri se nuk meriton kurfarë komenti, deklaroi sot ministri i Punëve të jashtme, Bujar Osmani lidhur me gjoja ofertën për shkarkimin e tij nga funksioni ministror.
Lidhur me letrën e hapur nga grupi i anëtarëve të BDI-së, Osmani tha se në parti ka nivel të madh të demokracisë dhe secili mund ta shprehë qëndrimin e vet, por se fjalën e fundit e ka lideri, Ali Ahmeti.
“Me deklaratën e djeshme të Ahmetit, mendoj se këtu përfundon ai tregim”, deklaroi Osmani, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në brifingun e sotëm në MPJ.
I pyetur për atë nëse trazirat brendapartiake do të ndikojnë në stabilitetin e Qeverisë, Osmani tha se BDI është faktor i stabilitetit në 20 vitet e fundit dhe se ashtu edhe do të vazhdojë.
“BDI është strukturë stabile politike, nuk presim kurfarë zhvillimi të mëtutjeshëm të ngjarjeve”, shtoi Osmani.
Rreth njëzet anëtarë të pakënaqur të BDI-së, mes të cilëve edhe Musa Xhaferi, Izet Mexhiti, Nevzat Bejta, Blerim Bexheti dhe Visar Ganiu, në letrën e hapur kërkuan debat të brendshëm partiak në mënyrë që të tejkalohet gjendja dhe i bëjnë thirrje liderit të partisë Ahmeti ta shfrytëzojë autoritetin e tij politik dhe statutar në mënyrë që të gjendet zgjidhje për ruajtjen e unitetit partiak. Për gjendjet në parti, ata e akuzojnë Artan Grubin.
Televizioni TV21 kumtoi se gjoja, në mënyrë që të qetësohen të pakënaqurit, u është parashtruar propozim Osmani të ndërrohet nga funksioni i ministrit, por se ata e kanë refuzuar propozimin duke cekur se problem është Grubi dhe disa ministra të tjerë.
Ahmeti dje në Tetovë deklaroi se BDI-ja mund të funksionojë pa cilin do individ sepse ka struktura stabile.
“Pa dyshim se BDI ka vendosur struktura stabile të cilat mund të funksionojnë pa Ali Ahmetin, Blerim Bexhetin, Musa Xhaferin, Izet Mexhitin. Ky është investim kombëtar cili ka bazë të fuqishme dhe mbështetje të fuqishme. Për 20 vite ka investuar në kuadrin e partisë. Këshilli dhe Kongresi janë funksional, për anarki nuk ka vend”, deklaroi Ahmeti.

