Osmani në vizitë pune në Islandë, Presidenca thotë se është vizita e parë një presidenti të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë pune në Rejkjavik të Islandës, ku do të takohet me homologun e saj, presidentin Guoni Th. Johannesson.

Osmani do të takohet edhe me kryeministren Katrin Jakobsdottir, kryetarin e Kuvendit Birgir Armannsson dhe ministren e Punëve të Jashtme, Thordis Kolbrun Reykfjord Gylfadottir.

Në njoftimin për media thuhet se kjo është vizita e parë e një presidenti të Kosovës në historinë e raporteve në mes Islandës dhe vendit tonë.

“Kjo është vizita e parë dypalëshe e një presidenti të Kosovës në historinë e raporteve në mes Islandës dhe vendit tonë.

Në këtë vizitë pune njëditore, temat e diskutimit të Presidentes do të jenë intensifikimi i bashkëpunimit përgjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës për të shtyrë përpara anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë, thellimi i marrëdhënieve bilaterale me Islandën, avancimi i rrugës euroatlantike të Kosovës, si dhe çështje të tjera të interesit të përbashkët”, thuhet në njoftimin e Presidencës.