Osmani në Sofje në konferencë për BE-në dhe Ballkanin

Shkup, 26 prill – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pas vizitës në Berlin, sot do të qëndrojë në Sofje ku do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare për përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në BE, të titulluar “BE-ja takohet me Ballkanin. Mësim nga Ukraina: Zgjerimi evropian – mbrojtje nga lufta”.
Krahas Osmanit, në konferencë është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e shefave të diplomacive të Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës, si dhe ministres bullgare të Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska. Atyre do t’u bashkangjiten eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheji, si dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i qeverisë britanike për Ballkanin Perëndimor, Stjuart Piç. Video fjalim për pjesëmarrësit do të ketë edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, jens Stoltenberg, si dhe zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Olga Stefanishina.
Gjatë vizitës së punës në Gjermani, Osmani, dje në takim me Ana Lirman, ministre shtetërore për Evropë në MPJ-në gjermane, mori vërtetim se Berlini mbetet kryesues i perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe tërë rajonit. Fillimi i negociatave inkuadruese me Maqedoninë e Veriut gjendet lartë në agjendën e MPJ-së dhe Qeverisë gjermane, kumtoi ai në profilin e tij në Fejsbuk pas takimit me Lirman.
“I informova Qeverinë dhe Bundestagun gjerman për hapat të cilat i ndërmori Republika e Maqedonisë së Veriut për të arritur harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe me atë tregoi pjekuri, por edhe konsekuencë si partnere e Bashkimit Evropian, por edhe anëtare e NATO-s në rajon, e gjithsesi e informova Qeverinë dhe Parlamentin për rrjedhën e bisedimeve me Republikën e Bullgarisë, Më pas, duke konstatuar se është koha që Republika e Bullgarisë të tregojë lidership strategjik me qëllim që të ndërpritet ky qark toksik i marrëdhënieve i cili po zvarritet me vite dhe lë pasoja të përhershme mes qytetarëve në të dy anët e kufirit, e gjithsesi edhe BE-ja të ndërmarrë lidership strategjik ndaj rajonit për shkak se këto momente historike e imponojnë mu atë”, deklaroi Osmani.
Në kuadër të vizitës në Berlin, të cilën e vlerësoi si mjaft të rëndësishme, shefi i diplomacisë pati takim edhe me Mihail Rot, kryetar i Komisionit për punë të jashtme, dhe me Anton Hofrajter, kryetar i Komisionit për çështje të BE-së, me ç’rast gjithashtu, u riafirmua angazhimi dhe mbështetja gjermane në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Pritet që osmani sot në Sofje të ketë takim me kolegen e tij bullgare, Teodora Gençovska, ku do të bëhet fjalë për çështjet e hapura mes Shkupit dhe Sofjes dhe bllokadën e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
Osmani, fundjavën që shkoi, në komentin për deklaratat e fundit të kryeministrit bullgar, Kiril Petkov për zhvendosje të vetos dhe ndryshim të Kushtetutës para hapjes së kapitullit të parë, me atë rast BE-ja të jetë garantuese, vlerësoi se propozimi portugez si kornizë bazë mbetet zgjidhja më e mirë për zhbllokim të eurointegrimit të Maqedonisë së Veriut.
“Konsideroj se propozimi portugez si kornizë themelore për idetë të cilat po këmbehen mes dy qeverive në javët e fundit mbetet zgjidhja më e mirë për zhbllokim të perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut, e madje edhe të rajonit”, thotë ai.
Kryeministri bullgar Petkov të shtunën në deklaratë për BTV përsëriti se garanca për të drejtat e bullgarëve në vend mund të sigurohet përmes procesit të integrimit evropian, për të cilin vlerëson se për Maqedoninë e Veriut do të zgjasë së paku 10 vite.
Vizita e Osmanit në Sofje vjen pas vizitës në javën e kaluar të delegacionit bullgar, të kryesuar nga kryeministri Petkov dhe nënpresidentja e Bullgarisë, Iliana Jotova në Manastir, me rastin e hapjes së klubit “Ivan Mihajllov”, që shkaktoi reagime të ashpra nga kreu shtetëror dhe opinioni në vend.
Sipas disa reagimeve, emërimi i institucioneve nga sfera e kulturës me një bashkëpunëtor të dëshmuar të regjimit fashist nuk i shërben fqinjësisë së mirë, ndërsa disa e interpretuan si ofendim dhe provokim ndaj popullit maqedonas, dhe kërkoi edhe ridefinim të strategjisë për fillim të negociatave inkuadruese për anëtarësim në Bashkimin Evropian.