Osmani në Paris: Kosova e angazhuar për paqe dhe stabilitet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar pamje të takimit me homologun francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ajo shkroi në Facebook të enjten se Kosova mbetet e angazhuar, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, për paqe, stabilitet dhe “për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit”.

“Ndërkaq, Presidenti Macron potencoi përkrahjen e tij për paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon. Në takim, ritheksuam rëndësinë e përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave përgjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, si dhe kërkuam vazhdimin e mbështetjes së Francës për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata tjera ndërkombëtare”, shkroi Osmani.

Sipas saj, në takim janë diskutuar edhe veprimet destabilizuese të Serbisë, që sipas Osmanit, nëpërmjet strukturave ilegale, frikësimit të qytetarëve dhe nxitjes së grupeve kriminale, po e cenojnë rendin dhe ligjin në veri.

“Shprehëm përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës, të cilat janë të paprekshme”.