Opozita, protestë para bashkisë së Tiranës
Përpara bashkisë së Tiranës u zhvillua sot protesta e radhës e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike si dhe Partisë së Lirisë, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi duke folur në protestë deklaroi se, opozita nuk do të tërhiqet.
Ai theksoi se, opozita do të përballet me çdo çmim, edhe me jetën, deri sa të vendoset drejtësia. “Ta harrojë ky regjim se do të na zmbrapsë, sepse ne jemi gati të përballemi me çdo çmim, edhe me jetën tonë, deri sa të vendoset drejtësia për këto krime dhe këtë hajdutëri të pashembullt në Europë”, u shpreh ai.
Ndërsa këshilltarja bashkiake e PD, Ilda Zhulali në fjalën e saj në protestën e organizuar sot u shpreh se, në mbledhjen e fundit të bashkisë së Tiranës, këshilltarët socialistë vendosën që familjet në nevojë të merrnin si ndihmë sociale vetëm 30 mijë lekë të vjetra.
“30 mijë lekë të vjetra iu japin ndihmë sociale 248 familjeve në Tiranë, ndërsa Zoto e Mërtiri e kanë çmimin 2.4 milion euro në muaj, e ndaj ne jemi sot këtu sepse jemi kundër këtij poshtërimi që i bëhet çdo qytetari te Tiranës”, u shpreh Zhulali.
Këshilltarja bashkiake e PL, Silva Caka në fjalën e saj në protestë foli për pronën ku ishte ndërtuar Teatri Kombëtar.
Ajo tha se, “në momentin kur u zhvat prona ku ishte ndërtuar Teatri Kombëtar, por edhe shumë prona të tjera publike, gjithë paritë e opozitës, si Partia e Lirisë edhe Partia Demokratike e kanë ngritur zërin në çdo konferencë për shtyp, në çdo denoncim që kanë bërë për zhvatjen e pronës private. Pra synimi i qartë për të zhvatur çdo pronë publike nuk do ta shpëtonte pronën private”.
Shefi i organizimit të PD Klevis Balliu dhe koordinatori rajonal për Tiranën në fjalën e tij në protestë u shpreh se protesta e 7 tetorit do të përshkallëzohet.
“Ata që na ishin mërzitur se qenka prishur fasada e partisë së krimit, turpi nuk është i joni pse është prishur ajo fasadë, por pse nuk është prishur më përpara”, shtoi Balliu.
“Kemi disa ditë që protestojmë këtu, por që të gjithë jemi mbledhur këtu, përfshirë dhe ata që në datën 7 ne i kishim përballë, jo vetëm në terren por dhe në studio, me një frikë, se mos vazhdon apo nuk vazhdon data 7. Data 7 do vazhdojë. Data 7 do përshkallëzohet, përderisa ju nuk dëgjoni zërin e qytetarëve”, tha ai.