Opozita me përplasje të duarve në tavolina tenton të mos lejojë vazhdimin e seancës, kërkojnë themelimin e Komisionit hetimor

Opozita në Kuvend po kërkon të formohet Komisioni Hetimor për energjinë dhe të mos të vazhdohet me seancë, ndërsa pasi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca njoftoi vazhdimin e seancës, deputetët opozitarë po tentojnë të mos lejojnë vazhdimin e seancës, duke i rënë me duar tavolinave.

Në seancën e Kuvendit po dëgjoheshin edhe fishkëllima, në kohën kur në foltore fliste deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi.

Ai duke i theksuar të arriturat e vendit, tha se ato po i pengojnë opozitës.

Deputetë të partive opozitare theksuan se nuk do të lejojnë vazhdimin e seancës, pasi sipas tyre kërkesa e tyre për themelimin e Komisionit hetimor për energjinë është e drejtë e tyre.

Ndryshe, në seancën e parafundit të Kuvendit ishte diskutuar për themelimin e dy komisioneve hetimore për energjinë. Njëri u iniciua nga Partia Demokratike e Kosovës dhe është përkrahur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Komisioni tjetër është propozuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Partitë opozitare kanë thënë se Komisioni i tyre do të analizonte të gjitha masat e marra prej periudhës së shpalljes së gjendjes emergjente për energjinë, për të cilën Kuvendi ka votuar në fund të vitit të kaluar, ndërsa Komisioni i propozuar nga LVV-ja do të hetonte më shumë çështje në sektorin e energjisë.

“Hetimi i investimeve kapitale në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në periudhën 2006-2022, investimet kapitale në distribucionin e energjisë elektrike pas privatizimit dhe burimet nga ku janë bërë ato investime”, ishin disa nga pikat e propozuara.

LVV po ashtu pati propozuar të hetohen edhe punësimet e bëra nga viti 2006 deri në prill të këtij viti, kontratat e lidhura për blerje të energjisë elektrike nga viti 2006 deri më 2022, procedurat e ndjekura gjatë këtyre blerjeve dhe shumë çështje tjera në fushën e energjisë.