Opozita lëshon mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, shkak Komisioni Hetimor

Deputetët e opozitës edhe sot kanë vazhduar debatin për Komisionin Hetimor, por këtë herë në Komisionin për Legjislacion, duke refuzuar kështu  të marrin pjesë në procesin e votimit dhe të shqyrtimit të raportit me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin për Policinë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Deputetët edhe pse të pranishëm në Komisionin për Legjislacion, kanë kundërshtuar të votojnë deri në themelimin e Komisionit Hetimor.

Ndryshe, një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës u debatua për krijimin e një Komisioni hetimor për krizën energjetike.

Opozita këmbëngulte që Komisioni të formohet, në të kundërtën sipas tyre nuk ka kuptim të marrin pjesë në votime tjera.

Ndryshe, nga tri partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në votime tjera deri në formimin e Komisionit hetimor.

Komisioni hetimor po kërkohet të formohet për çështjet energjetike, saktësisht për krizën energjetike, çështjet e tarifës dhe punësimet në KEK.