Operatorët turistik në Vlorë kërkojnë përshpejtimin e hapjes së sezonit
Operatorët turistik në Vlorë kërkojnë që sezoni turistik të hapet më 16 prill.
Sipas Euronews Albania, me hapjen e sezonit ata propozojnë që ndarja e hapësirave në plazhe të jetë e përcaktuar, në mënyrë që të shmangen përplasjet.
Kreu i shoqatës së operatorëve turistik, Vasil Bedinaj kërkon koordinimin me institucionet shtetërore për përfitimin e hapësirave në bregdet.
“Duam qartësi kush e përfiton, ai që e merr nga e-Albania, pra ministria e Turizmit, apo nga bashkia. Meqë ministria e Turizmit ka vendosur 30 ditë për aplikimin, ne këtu jemi pjesa më e madhe e operatorëve dhe në bazë të ligjit janë hotelet ato që e përfitojnë e më pas të tjerët”, deklaroi Bedinaj.
Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj tha se të gjitha kërkesat e tyre do t’i dërgohen Ministrisë së Turizmit.
Qyteti bregdetar i Vlorës ofron për turistët 3,400 dhoma për 380 struktura hotelerie. Vitin e kaluar 165 subjekte morën leje për të shfrytëzuar plazhet dhe për të vendosur shezllonet.
Për operatorët turistikë, problematikat e përvitshme sa vijnë e shtohen. Policia ndërtimore duket se është kthyer në problem për pronarët e hoteleve.