Operacioni gjigant/ Si u angazhuan 250 efektivë për kapjen e 990 kg drogë në Vlorë

Një operacion i madh policor është zhvilluar ditën e sotme në Policia e Vlorës në bashkëpunim me Guardia di Finanza.

Gjatë këtij operacioni të zhvilluar nga nga ajri, deti dhe toka u sekuestruan rreth 1 ton lëndë e dyshuar narkotike marijuana, ku si pasojë janë vënë në pranga tre shtetas shqiptarë banues në Vlorë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Policia e Vlorës ka sekuestruar 3 mjete lundruese (skafe) dhe 2 automjete, ndërsa nga GDF u sekuestrua mjeti lundrues në të cilin u gjet lënda narkotike.

Tre skafistët e kanë shkëmbyer drogën në det dhe kanë lëvizur me mjetet e tyre lundruese për ta ngarkuar kanabisin në një anije tip “Velierë”, e cila po i priste në brigjet e Jonit.

Ky veprim i trafikantëve është bërë në limitet e kalimit të hapësirës ujore mes dy vendeve, për të mos krijuar dyshime te radarët.

Policia e Vlorës ka qenë duke i vëzhguar së bashku me kolegët e tyre të Guardia di Finanzas italiane dhe sapo përfundoi shkëmbimi i drogës, kanë ndërhyrë për të bërë arrestimet.

Në operacion u përshinë rreth 250 forca policore, të cilat zhvilluan kontrolle dhe ndjekje nga toka, deti dhe nga ajri me helikopter të GDF-së dhe Frontex-it. Kontrollet u finalizuan me bllokimin e mjetit lundrues që kishte lëndën narkotike dhe arrestimin e personave që kishin organizuar trafikimin e saj.

Si rezultat i operacionit, nga shërbimet e Policisë së Shtetit u bë i mundur identifikimi i personave që dyshohet se kishin transportuar lëndën narkotike, me 3 mjete lundruese, drejt një mjeti tjetër lundrues në thellësi të detit.

Nga Policia e Vlorës u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i Arbër Saraseli, Saverjo Imeraj dhe Qemal Pekmezi, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Gregor Likaj.

Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën në flagrancë, në ujërat italiane, nga Guardia di Finanza, shtetasit me iniciale B. S., 43 vjeç dhe S. S., 62 vjeç, të dy me shtetësi ukrainase.

Shtetasit e arrestuar në Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 07.08.2022, rreth orës 15:00, dyshohet se kanë transportuar lëndën e dyshuar narkotike marijuanë, me 3 skafe drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellesi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë.

Si rezultat i zhvillimit të operacionit të përbashkët, nga autoritetet e Guardia di Finanza është kapur në ujërat italiane, mjeti lundrues me të cilin transportohej lënda narkotike. Shërbimet e GDF-së, gjatë kontrollit në bordin e mjetit lundrues, kanë sekuestruar një sasi prej 992 kg lëndë të dyshuar narkotike marijuanë, e ndarë në 153 pako.

Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e S. I., në Vlorë, shërbimet e DVP Vlorë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, sekuestruan 3 mjete lundruese (skafe), 3 aparate celulare dhe 2 automjete.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti, kapjen dhe vënien në pranga të personave të tjerë të implikuar në trafikimin e lëndës narkotike.