Oda Ekonomike formon asociacionin nacional të operatorëve dhe agjencive turistike

Shkup, 26 shtator – Partner i shtetit, konsultues ekspert i anëtarëve dhe këshilltar i konsumatorit përfundimtar, ky do të jetë misioni kryesor i Asociacionit Nacional të Operatorëve dhe Agjencive Turistike (ANOAT), themelimin e së cilës e njoftoi sot Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut.

Siç njoftoi nënkryetari i Shoqatës së Hotelierisë dhe Turizmit pranë Odës, Aleksandar Kuzmanoski, qëllimi i asociacionit do të jetë të ndihmojë në krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillimin e një industrie moderne dhe konkurruese profesionale të turizmit.

“Përballë sfidave të tilla, agjencitë turistike që krijojnë dhe shesin aranzhmane brenda dhe jashtë vendit nuk njohin adresë për t’u adresuar, as nuk marrin mbështetje dhe mendim eksperti për vështirësitë me të cilat përballen, për këtë arsye veprojnë në mënyrë të paorganizuar”, tha Kuzmanoski, duke shpjeguar arsyet e themelimit të ANOAT.

Ai shtoi se ANOAT, përveç ndihmës praktike për anëtarët dhe mbrojtjes së interesave të tyre para Qeverisë dhe institucioneve të tjera, do të monitorojë vazhdimisht trendin në turizëm përmes bashkëpunimit me asociacionin ndërkombëtar.

“Në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë asociacion nacional të regjistruar që do të përfaqësojë destinacionin dhe interesat e kompanive nga kjo veprimtari. Për të njëjtat arsye, qytetarët nuk kanë informacion të mjaftueshëm për të drejtat dhe obligimet gjatë shfrytëzimit të aranzhmaneve turistike, gjë që kontribuon në krijimin e pritjeve të gabuara dhe kulturës së udhëtimit”, nënvizoi Kuzmanoski.

Asociacioni do të ketë një rrjet anëtarësh aktiv shumë profesional dhe do të funksionojë përmes disa bordeve – për turizmin pritës, për turizmin iniciativ, për turizmin rinor dhe ekskursione, për turizmin kongres, për autobusët dhe trafikun ajror, për makina me qira, për bashkëpunim ndërkombëtar, si dhe për bashkëpunimin me institucionet dhe fondacionet.