Nxënësit e shkollave të mesme gjatë pushimeve verore do mund të shfrytëzojnë transport falas
Shkup, 9 qershor – Ndërmarrja e transportit publik Shkup bën të ditur se të drejtën e përdorimit falas gjatë pushimeve verore do të kenë edhe nxënësit e shkollave të mesme të cilët i plotësojnë kushtet për shfrytëzim të transportit publik këtë vit.
– E drejta për transport falas gjatë pushimeve të verës është në përputhje me Programin për aktivitetet e Qytetit të Shkupit në fushën e arsimit të mesëm në vitin 2023, ku ndër të tjera thuhet se me fillimin e vitit 2023, nxënësit nga Shkollat e mesme të Qytetit të Shkupit do të kenë mundësi që gjatë pushimeve dimërore dhe verore të shfrytëzojnë transport falas dhe në këtë mënyrë pa probleme t’i kryejnë obligimet shkollore për ndjekjen e trajnimeve praktike, thuhet në njoftimin e Ndërmarrjes së transportit publik.
Nga aty shtojnë se nga e hëna (12 qershor 2023) transporti publik do të funksionojë sipas orarit veror.

