Nuk votohet komisioni për hetimin e situatës energjetike, opozita e lëshon sallën

Deputetët e opozitës kanë lëshuar seancën pasi nuk u arrit të votohet Komisioni për hetimin e situatës energjetike në vend.

Ata e kanë quajtur të papranueshme këtë situatë, derisa thanë se formimi i këtij komisioni do të bëhet me mbledhjen e 40 nënshkrimeve.

Pas kësaj, kreu i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se nuk do të vazhdojnë të qëndrojnë në sallë.

“Në historinë tonë parlamentare që me votë refuzohet një komision hetimor mbi keqpërdorimet për një çështje të caktuar për energji. Ne kemi mundësi tjetër me 40 nënshkrime. Kemi pasur dëshirë të kemi dakordim brenda kësaj legjislature. Arsyetimet pse qeveria po humb kohë refuzohet me votë ishte një lojë e ndyrë. Nuk do të vazhdojmë të qëndrojmë në seancë”, tha Tahiri.

Shefi i grupit të LDK, Arben Gashi, tha se komisioni do të formohet patjetër nëpërmjet 40 nënshkrimeve të deputetëve, derisa theksoi se kundërshtimi i pushtetit për mosformim, është ndër arsyet që ky komision duhet të ekzistojë.

“Krejt cka ndodhi këtu ke deklarim indivudal në bazë të bindjeve të veta. Po harroni nuk mund të fshihni ckado që ka ndodhur sepse komisioni formohet sepse i mbledhim 40 nënshkrime. Kot jeni duke u munduar të bëni improvizime. Kjo që ndodhi është e çuditshme. Nëse ka diçka për të fshehur votimi kundër të jep dyshime se këta po duan të fshehin diçka. Pjesë e fatkeqësisë është të shkosh edhe njëherë në komision ministër Murati. Ky komision do të formohet dhe e vërteta do të dalë”, tha Gashi.

E mosformimin e komisionit, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, pyeti pushtetin pse po heziton ta formojë një komision të tillë.

“Nuk po mund të kuptoj pse gjithë ky hezitim apo pse po frikësohet qeveria për të zbardhur të vërtetën. Pse mos me pas hetim, diskutim me deputet se sa para i ka dhënë qeveria për pagesën në veri. Pse mos me pas hetim për ZRrE. Pse mos me dit qytetarët për raport pse nuk është shpallë gjendje emergjente nga kuvendi kur e ka bërë edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut. A ka konflikt interesi apo çka”, pyeti ai.