“Nuk dalin as për ilaçe”, pensionistët në Shqipëri të pakënaqur me indeksimin e pensioneve
“Ku na dalin, dje pagova 150 mijë lekë drita e ça do ha unë tani.” “400 lekë. S’më hyjnë shtesë për asgjë.” “Financat e shtetit kaq ishin, ekonomia kjo është.” Kështu ka nisur 1 tetori për rreth 791 mijë pensionistë përfitues në vend, teksa në xhepat e tyre u shtuan më shumë para, si një kompensim i rritjes së çmimeve, raporton A2 CNN.
Inflacioni për mallrat e shportës për pensionistët nga tetori i vitit të shkuar deri më tani ka rezultuar 4.1 për qind. Duke bërë që të moshuarit në qytet të marrin si kompensim 748 lekë [rreth 7.5 euro] më tepër në muaj, duke arritur në një pension mesatar 18 mijë e 982 lekë [rreth 190 euro]. Ndërsa në fshat 453 lekë më shumë.
Por çfarë mund të blejnë ata me kaq para në dispozicion?
“Ca entuziazmi me 700 lekë. Këto më dalin vetëm për 7 kg domate.”
“Mua më dalin sa për 3-4 kafe në muaj.”
“Unë kam mamanë në shtëpi asaj 40 mijë lekë i ka vetëm ilaçe”, shprehen pensionistët, transmeton A2 CNN.
Por të moshuarit nuk mbajnë më sytë tek indeksimet. Me gjithë rritjet, ajo që pensionistët në vend marrin nuk mjafton për të përballuar jetesën. Ata kërkojnë rishikim të masës së pensionit.
“470 lekë unë, mamasë I ranë tek 900 lekë. Nuk na del por do ta shtyjmë. Të na shtohet diçka.”
“Mora 410 lekë. Rroga pa 1200 euro nuk kalohet me çmimet që janë.”
“S’janë duke pyetur për ne po na shkelin me këmbë. Ca janë këto rritje pensionesh. Një deputet merr para sa për 20 pensionistë. Ne e kemi ndërtuar bazën këta na shpërblejnë kështu”, thotë pensionistët, shkruan A2 CNN.
Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se skema e pensioneve do të rifillojë të shikohet nga mesi i muajit tetor, ku si bazë kryesore do të jetë reduktimi i diferencimit të masës së pensioneve.
Përtej indeksmit në tetor pensionistët do të marrin në fundvit një bonus më shumë se 5 mijë lekë.