Një kompani amerikane po shqyrton mundësinë për investim 150 milionësh në Maqedoni

Shkup, 16 mars – Një kompani amerikan e e targeton vendin si vend potencial për realizimin e investimeve të saj në vlerë prej rreth 150 milion euro. Siç njoftoi sot drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Industriale Teknologjike Jovan Despotovski, ekipi i menaxherëve të kompanisë do të udhëtojë në Shkup në fillim të muajit prill.

“Në lojë” për investimet e kësaj kompanie amerikane është gjithë rajoni, por konsiderohet se konkurenca më e madhe është ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

“Jemi në një rreth të ngushtë. Tani për tani kemi paralajmërim vetëm se do të vijnë menaxherët e kompanisë dhe tashmë na është dërguar një plan biznesi. I kemi të gjitha të dhënat për kompaninë, por detajet do t’i njoftojmë kur e gjithë puna të jetë në një fazë të avancuar. Ajo që është e rëndësishme është se kemi një kompani seriozisht të madhe amerikane që nuk është e pranishme në vend dhe e cila për shkak të situatës në Evropën Lindore ka shpallur një mision në rajon në fillim të prillit, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Disa vende në rajon janë duke u skanuar. Ne do të bëjmë gjithçka nga ana jonë për ta bindur kompaninë që mjetet t’i investojë në vendin tonë”, tha Despotovski.

Në brifing me gazetarët ai informoi edhe se disa kompani çeke e shqyrtojnë mundësinë ta shpërngulin prodhimtarinë nga Rusia në vendin tonë.

Sipas Despotovskit, muajin e kaluar është evidentuar rritje e madhe e aktivitetit ekonomik në zonat industriale jo vetëm në krahasim me janarin e vitit 2022, por edhe në shkurt të vitit 2021, që tregon se situata është stabile.

Në lidhje me zonën industriale Shkup 3, Despotovski paralajmëroi se do të investohet në teknologji të larta.