Niveli i Korrupsionit, mungon bashkëpunimi ndërinstitucional

Shkup, 5 Prill – Për luftë efikase kundër korrupsionit, përveç kornizave ligjore, nevojitet qasje efektive dhe bashkëpunim i të gjitha institucioneve të kyçura në sistemin për luftë kundër korrupsionit, u tha në Punëtorinë Nacionale për Implementimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për Korrupsionin.

“Baza e një shoqërie stabile, demokratike është shoqëria ku sistemi funksionon në mënyrë profesionale, në mënyrë transparente dhe efikase pa qenë e varur prej asaj se cila garniturë politike është në pushtet, pa qenë e varur nga faktori njeri, por vetëm nga rregullat e shkruara në mënyrë ligjore dhe sistematike. Nëse një nga institucionet e angazhuara për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin nuk funksionon siç duhet, atëherë efikasiteti në parandalimin e dukurive negative në shoqërinë tonë nuk do të jetë e plotë.”,- tha zëvendëskryetarja e Qeverisë për Politikat e Qeverisjes së Mirë, Slavica Grkovska.

“Dua të jem konsistenn dhe i sinqertë, në RMV nuk është problem vetëm legjislativa, por duhet adresuar kritikë edhe institucioneve të cilat janë të obliguara për arritjen e qëllimeve.”,- theksoi ministri i drejtësisë, Nikolla Tupançevski.

Kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, vlerëson se për prevenim efikas është e nevojshme është bashkëpunimi ndërinstitucional. Thotë se vetëm 30% e  rekomandimeve të tyre janë pranuar, ndërkaq nga 18 iniciativat e ngritura në Prokurorinë Publike, asnjëra nuk ka treguar rezultat pozitiv.

“Nuk shohim përgjigje në punën tonë, gjegjësisht shohim një përgjigje shumë të vogël. Akoma është shumë e ulët përqindja e realizimit të projekteve dhe ajo çka është më dëshpëruese është se i ndjekim rekomandimet e dhëna për zbatimin e strategjisë nacionale dhe ky raport na tregoi se vetëm rreth 20% e rekomandimeve dhe aktiviteteve të tjera janë zbatuar.”,- deklaroi kryetarja e Anti-korrupsionit, Biljana Ivanovska.

Më shumë se 30 % e qytetarëve në vend kanë dhënë mito, theksojnë nga Qendra maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar.