Nisin konsultimet për Qeverinë e re, Vuçiq takon Shaip Kamberin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nisur konsultimet për mandatin e Qeverisë së re me një takim me kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, i cili është përfaqësues i Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës.
Ky koalicion do të ketë një mandat në Kuvendin e Serbisë.
Kamberi ka thënë se kërkon integrimin e shqiptarëve dhe se pjesëmarrja në Qeverinë e Serbisë nuk është prioritet i tyre.
“Zbatim të marrëveshjeve për Luginën, ndryshim të ligjeve për pakicat dhe fond për zhvillim”, ishin kërkesat që sot ia dorëzuam presidentit Vuçiq, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Ai ka thënë se prioritet i koalicionit është integrimi në institucionet publike, ato në nivel lokal dhe regjional, ndalimi i pasivizimit të adresave, fondi zhvillimor për Luginën dhe ndryshimi i Ligjit për flamurin.
Në prononcimet e mëparshme për media, Kamberi ka thënë se në bisedë do të insistojë në zbatimin e “Planit shtatëpikësh”, që u miratua nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013, dhe ku përmenden probleme të shumta me të cilat përballet pakica kombëtare shqiptare në Serbi, si integrimi ekonomik i shqiptarëve, njohja e diplomave, mospërdorimi i shprehjeve fyese ndaj tyre.
Pas largimit nga Presidenca e Serbisë, Kamberi u tha gazetarëve se shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ende nuk janë integruar as në nivel lokal të institucioneve shtetërore e as në rajon.
“Kërkesa jonë është që integrimet të fillojnë nga fundi dhe jo nga maja e Qeverisë”, ka thënë Kamberi, përcjell agjencia Beta.

