Nisin hetimet mbi helmimin e nxënësve në Mitrovicë

Disa nxënës nga Prishtina janë helmuar në Mitrovicë. Dje u raportua se disa nxënës të shkollës fillore “Nexhmi Mustafa” në fshatin Besi të Prishtinës, janë helmuar në qytetin e Mitrovicës, ku kishin shkuar për ekskursion.

E lidhur me këtë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se ka nisur hulumtimet, ku thuhet se nxënësit janë shërbyer në një restorant, i cili është në një mbyllje të përkohshme.

AUV-i ka thënë se kanë inspektuar hapësirat e restorantit dhe shërbimet ushqimore ku edhe janë marrë 6 mostra.
“Restoranti është inspektuar në mënyrë të detajuar në të gjitha hapësirat e punës dhe shërbimit të ushqimit. Bashkë me zyrtarin mostrues nga IKSHPK janë marrë 6 mostra të produkteve ushqimore dhe strisho nga hapësirat e ambientit të gatimit dhe mjeteve të kuzhinës”, thuhet në njoftim.

Ata kanë theksuar se ky restorant do të jetë i mbyllur deri sa të publikohen rezultatet laboratorike.

Sipas raporteve mjekësore, pacientët menjëherë pas marrjes se trajtimit kanë filluar të përmirësohen.

“AUV-i është duke e trajtuar me seriozitet të lartë rastin e ndodhur dhe në koordinim me autoritetet e tjera si, Spitali i Mitrovicës, Policia e Kosovës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës”, thuhet më tej.