Nikolla takon delegacionin nga Bujanoci, Shqipëria shpreh mbështetje për Luginën e Preshevës
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla priti sot në një takim në Tiranë Kryetarin e Kuvendit të Komunës Bujanoc në Luginën e Preshevës, Enver Ramadani si edhe delegacionin që e shoqëronte.
Në një njoftim për shtyp, Nikolla vuri në dukje se kuvendi, qeveria dhe institucionet e Shqipërisë do të vazhdojmë të mbështesim shqiptarët e Luginës së Preshevës, prosperitetin dhe të drejtat e tyre.
Nikolla ka shtuar se Shqipëria mbështet gjithashtu edhe përfshirjen më të madhe të qytetarëve të Preshevës në jetën socio-ekonomike të Serbisë, në përputhje me detyrimet dhe normat ndërkombëtare.
Ajo ka bërë thirrje për shmangien e pasivizimit të adresave në zonat e banuara nga shqiptarët në Serbi.
Sipas Nikollës, Shqipëria do të vazhdoj mbështetjen për mësimdhënien në gjuhën shqipe, si dhe përdorimin e simboleve kombëtare.
“Inkurajojmë qeverinë dhe institucionet e Serbisë për garantimin e këtyre të drejtave”, ka thekuar Nikolla.
Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit të Komunës Bujanoc, Enver Ramadani, si edhe këshilltarët pjesëmarrës në takim shprehën dëshirën dhe besimin se mbështetja e Shqipërisë do të vazhdojë, duke përshpejtuar e zgjeruar bashkëpunimin me institucionet shtetërore dhe bashkitë e Luginës së Preshevës në fushat e arsimit, kulturës, turizmit etj