Nga viti tjetër, mund të ketë mungesë të ushqimit deri në 50%, do të ndikojë në çmimet

Shkup, 29 shtator – Kryeministri Dimitar Kovaçevski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve, tha se nga viti i ardhshëm në nivel global mund të pritet mungesë ushqimore prej 50 për qind, që sigurisht do të ndikojë në çmimet.

“Vitin e ardhshëm problem nuk do të jetë çmimi i ushqimit dhe logjistika e transportit të ushqimit, por mungesa e ushqimit. Duke parë lëvizjen e kësaj që po ndodh në fushën e betejës, duke parë mungesën e gazit, e gazi është një element bazë për prodhimin e plehrave artificiale, mungesa e plehrave artificiale është e mundur, e mund të pritet edhe mungesë ushqimore prej 50 për qind nga viti i ardhshëm. Dhe mund ta merrni me mend se çfarë do të thotë kjo për Afrikën, pjesë të Azisë dhe këtu. Ne do të kemi ushqim, por çmimi i tij do të jetë jashtëzakonisht i lartë”, tha Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Daniela Nikolova nga LSDM.

Kovaçevski shpjegoi se çfarë po ndërmerr Qeveria për të rritur prodhimin e ushqimit në vend.

“Së pari, ne kemi marrë tashmë vendim për ndarjen e tokës shtetërore për rritjen e prodhimit të misrit, grurit, elbit, pra kulturave strategjike. Më vjen mirë që ka pasur interes të madh për atë ankand, ku qytetarët tanë shprehën dëshirë, morën tokën dhe filluan prodhimin. Së dyti, kemi investuar në rritje të subvencioneve përmes fondit intervenues, i cili është 900 milionë denarë në lidhje me prodhimin e produkteve strategjike bujqësore, prodhimi i lulediellit tashmë është dyfishuar dhe ne do të vazhdojmë kështu. Theksi do të vendoset në dërgimin e produkteve bujqësore në objektet e përpunimit vendas. Kur të investohen subvencione duam të kemi një prodhim të shtuar të ushqimit final në vend dhe ky është një proces që do të bëhet në periudhën e ardhshme, por me një sistem të ri subvencionesh, që do t’i bëjë fermerët vërtetë më të kënaqur”, tha ndër të tjera Kovaçevski.

Ai shtoi se vëmendje e veçantë i është kushtuar vreshtarëve dhe kantinave. E kemi trashëguar në vitin 2017, tha ai, një shumë të madhe të subvencioneve të papaguara dhe këtë vit, si viti më kritik, do të paguhen të gjitha subvencionet e vonuara.

“Askush nuk mund të thotë se çmimet e ushqimeve do të jenë më të ulëta vitin e ardhshëm. Çfarëdo që thotë, e thotë ose nga injoranca ose e thotë që të mund të manipulojë. Me mungesë të plehrave artificiale, me një rritje 100 për qind të kostos së plehrave të disponueshme artificiale, nëse mund ta gjeni, rendimentet do të jenë më të ulëta, çmimi do të jetë më i lartë. Është thelbësore që ne të prodhojmë atë që më së shumti nevojitet në vend dhe që mund ta bëjmë vetë”, përfundoi Kovaçevski, duke shtuar se çmimet po rriten për shkak se ka mungesë të ushqimit në Evropë, rritje të çmimeve të energjisë, transportit, etj