Nga të parat veprimtare aktive të shoqërisë civile në Shqipëri, ndahet nga jeta Kozara Kati
Kozara Kati, një emër i njohur i shoqërisë civile në Shqipëri është ndarë nga jeta sot në orët e para të mëngjesit.
Lajmi i trishtë u konfirmua për DITA nga familja dhe miqtë e saj.
Kozara ishte një nga drejtueset e para të shoqërisë civile në Shqipëri pas viteve “90. Ajo drejtoi për shumë vite një nga organizatat më të njohura në vend, Qendrën Shqiptare për të Drejtat e Njeriut.
Vitet e fundit ajo ishte anëtare dhe kryetare e Bordit Mbikqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile.
“Znj. Kozara Kati ka dhënë një kontribut të pazevëndësueshëm për zhvillimin e Shoqërisë Civile në vend, sidomos në fushën e të Drejtave të Njeriut, të Drejtat të Fëmijëve, mbështetjen për barazinë gjinore dhe mosdiskriminim. Kujtimi i saj do të mbetet i paharrueshëm për natyrën e saj të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe dashamirësinë në marrdhëniet njerëzore” – thuhet në një deklaratë të kësaj agjencie.
Lamtumira dhe ceremonitë mortore do të zhvillohen nesër.

