Nga rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në NATO e deri te ftesa për takim dypalësh – përmbajtja e letrës së plotë të Osmanit dërguar Bidenit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 10 mars i është drejtuar me një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, nga i cili ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Në letrën e saj të cilën e ka siguruar Telegrafi, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova sot është faktorë kyç në promovimin e stabilitetit rajonal, duke shprehur që SHBA-të në këtë kohë sfiduese për të gjithë, mund të llogarisin në mbështetjen e Republikës së Kosovës.

“Kjo është në fund të fundit vendosmëria e popullit të Kosovës, por është edhe arritja jonë e përbashkët, prandaj SHBA-të vazhdojnë të mbajnë një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e popullit tonë. Në këtë kohë sfiduese, dhe si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të llogarisin në Republikën e Kosovës si një mike dhe aleate e përkushtuar dhe si një vend që do të mbrojë interesat tona të përbashkëta”, ka shkruar Osmani në letrën drejtuar Biden.

Osmani më tej ka theksuar se integrimi euroatlantik ka qenë gjithmonë synimi ynë, por sot – në dritën e ngjarjeve të paprecedentë në kontinentin evropian – është prioriteti ynë kryesor i sigurisë kombëtare.

“Evropa po përballet me kohërat më të errëta dhe më të rrezikshme që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Derisa ne ndajmë qëllimin e përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e sigurisë globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë shumë i rëndësishëm. Argumentet që kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO shpërfillin rëndësinë e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe nuk i shërbejnë interesit të botës së lirë demokratike, e cila është nën rrethimin në rritje nga tendencat autoritare dhe politikat e tyre agresive”, thekson Osmani, shkruan Telegrafi.

Ajo më tej shkruan se Republika e Kosovës ka dëshmuar vazhdimisht se si dhe pse e meriton, beson plotësisht se duhet të jetë anëtare e plotë e familjes euroatlantike të kombeve.

“Kosova është vendi më pro-amerikan dhe pro NATO-s në botë. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, Kosova mbetet e përjashtuar nga procesi, marrëveshjet dhe programet e zgjerimit të NATO-s, siç është Partneriteti për Paqe (PfP) dhe ende nuk është bërë anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut (A5). Duke pasur parasysh këtë, ne shprehim besimin dhe pritshmërinë tonë që SHBA-të do të përdorin lidershipin dhe ndikimin e tyre për të mbështetur dhe avancuar në mënyrë aktive procesin kompleks të anëtarësimit në NATO për Kosovën duke filluar me programin PfP dhe anëtarësimin e plotë në Kartën e Adriatikut”, shkruan më tej Osmani në letrën e saj.

Presidentja e Kosovës ka shtuar se jemi optimistë se do të kemi mbështetjen e aleatit tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë përpjekje vendimtare.

“Pres me padurim mundësinë për t’u takuar me ju personalisht sa më shpejt që të jetë e mundur. Pranoni konsideratën time më të lartë për ju dhe vendin tuaj. Zoti i bekoftë kombet tona dhe botën e lirë”, shkruan në fund të letrës, presidentja Osmani.