Nga 1 gushti ngrohje qendrore më e shtrenjtë për 14,18 për qind

Shkup, 29 korrik – Nga 1 gushti çmimi i ngrohjes qendrore do të rritet për 14,18 për qind, vendosi sot Komisioni Rregullator për Energjetikë.

Kjo nënkupton se te një faturë mesatare e energjisë për ngrohje prej 1.800 denarë, rritja do të ishte 250 denarë.

“E gjithë Evropa dhe rajoni kanë probleme serioze në sektorin e energjisë për shkak të çmimeve tepër të larta të burimeve të energjisë dhe sasive të reduktuara të gazit natyror të importuar nga Rusia. Për prodhimin e energjisë për ngrohje ne përdorim gaz natyror të importuar, çmimi i të cilit sot është rreth 10 herë më i lartë se çmimi në korrik 2021. Kompanitë energjetike që ofrojnë energji për ngrohje kërkuan rritje të çmimit deri në 78 për qind. Në vendimet e sotme, rritja e çmimit për numrin më të madh të konsumatorëve që furnizohen nga BEG është vetëm 14,18 për qind, që vjen si pasojë e subvencionimit të konsiderueshëm të çmimit të energjisë për ngrohje për amvisëritë nga Qeveria”, deklaroi kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski.

Parashihet që TE-TO të sigurojë 70 për qind të energjisë së nevojshme për ngrohje, ndërsa 30 për qind të sigurohen nga ngrohtoret.

Nëse TE-TO nuk punon dhe nëse nuk ka subvencione nga shteti, siç theksoi Bislimovski, çmimi do të rritej për mbi 100 për qind.

“Nëse nuk është e mundur që të importohen sasitë e nevojshme të gazit natyror për prodhimtarinë e energjisë për ngrohje në TE-TO dhe ngrohtore, atëherë e gjithë energjia e ngrohjes do të duhet të prodhohet në ngrohtoret me shfrytëzim të mazutit, që është shumë jo e favorshme nga aspekti ekologjik dhe është e rrezikshme për shkak të pamundësisë potenciale që të sigurohen sasitë e nevojshme të mazutit”, tha Bislimovski.

U bën thirrje të gjithë konsumatorëve, duke filluar nga institucionet në nivel qendror dhe lokal, në sezonin e ngrohjes t’i ndjekin rekomandimet e BE-së për kursim dhe ulje të ngrohjes.

“Një shkallë e uljes së temperaturës mundëson kursim të karburantit prej rreth 5 për qind”, tha Bislimoski në konferencën e sotme për media.