Në vend mungojnë 52 ekipe për ndihmë urgjente mjekësore që të përmbushet minimumi i përcaktuar me ligj

Shkup, 25 dhjetor – Sipas hulumtimit të fundit në Qendrën për Komunikimin Civil dhe kapacitetin e ndihmës mjekësore urgjente, vendit i mungojnë gjithsej 52 ekipe të ndihmës urgjente mjekësore për të përmbushur të paktën minimumin e përcaktuar ligjor të ekipeve që duhet të ketë një qendër mjekësore varësisht numrit të banorëve që i mbulon. 

Siç thuhet në hulumtim, më shumë ekipe, 18 mungojnë në Shkup, përderisa Manastiri ka 4 më shumë nga minimalja e kërkuar. Ndërsa gjysma e 33 qendrave shëndetësore kanë më pak ekipe se sa duhet.

Njëkohësisht nga hulumtimi konstatojnë se për momentin në vend janë gjithsej 258 ekipe për ndihmë urgjente mjekësore dhe ky numër në vend që të rritet, çdo vit po zvogëlohet.

Kështu, në raport me vitin 2015, kur u miratua dekreti i fundit që përcakton numrin minimal të ekipeve që duhet të ketë çdo qendër shëndetësore, numri i ekipeve të urgjencës është ulur për 22.

Në hulumtimin e Qendrës për Komunikime Civile është konstatuar se një ekip i ndihmës emergjente mbulon 1.000 dhe në qytete të tjera deri në 40.000 banorë në ditë. Më keq qëndrojnë Strumica dhe Tetova, ku një ekip “mbulon” edhe rreth 40 mijë banorë në ditë. Kumanova dhe Shkupi mbulohen me një ekipi për rreth 30.000 banorë në ditë. Më mirë të “mbuluar” janë banorët e qendrave të vogla si Vevçani, Pehçeva dhe Rostusha ku një ekip mbulon pak më shumë se 1.000 banorë në ditë.

“Në një ndërrim të ndihmës emergjente ndonjë herë ka 2, në vende të tjera ka nga 50 intervenime. Nuk mbahen evidenca se sa thirrje për ndihmë emergjente janë pranuar, sa janë ndjekur”, theksohet në hulumtimin e Qendrës për Komunikime Civile.