Në UT u hap ekspozita me punimet e studentëve të programit studimor të Arkitekturës

Tetovë, 4 tetor – Në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara të Universitetit të Tetovës, më 3 tetor 2022, u hap ekspozita vjetore e organizuar nga studentët dhe profesorët e Katedrës së Arkitekturës. Punimet e prezantuara ishin nga lëmi të ndryshme të punuara nga studentët gjatë vitit akademik 2021/2022.

Në hapjen e kësaj ekspozite të pranishmëve me fjalë përshëndetëse ju drejtua dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Prof. Dr. Feta Sinani. Ai fillimisht i përgëzoi studentët për angazhimin e tyre dhe punën profesionale që kanë bërë gjatë një semestri, të cilën e kurorëzuan me organizimin e kësaj ekspozite. Sipas tij, planprogramet studimore të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara janë të konceptuara mbi përvojat e universiteteve evropiane, si të Shtutgartit, të Karlsruhes, Universitetit Teknik të Vjenës, Universitetit Teknik të Zagrebit e të tjera. “Në kuadër të planeve dhe programeve, përveç metodave teorike avancohen edhe ato praktike dhe aplikative, të zbatuara në shoqëri. Me akreditimin e ri kemi programe studimore edhe më të avancuara dhe të përshtatura rrethanave aktuale. Misioni i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara është nxjerrja e kuadrove profesionale dhe kualitative në drejtimet e inxhinierisë për plotësimin e nevojave shoqërore. Po ashtu, krijimi i kuadrit profesional, akademik dhe shkencor, për nevojat e fakultetit, të cilët do të jenë në gjendje ta zhvillojnë procesin mësimor dhe për t’u përgjigjur sfidave të kohës. Ekspozita e sotme është dëshmi e punës aktive të studentëve gjatë studimeve dhe e angazhimeve serioze të profesorëve, të cilët japin më të mirën nga vetja e tyre në përgatitjen profesionale të kuadrove të reja”, theksoi dekani i këtij fakulteti, Prof. Dr. Feta Sinani.

Për ekspozitën e studentëve të arkitekturës foli edhe Prof. Dr. Kujtim Elezi. Sipas tij, përmes kësaj ekspozite studentët gjejnë rastin ta prezantojnë veten, profesionistin e nesërm, i cili do të duhet të marrë mbi supe ndryshimin, pa të cilin nuk bën, sepse është koha e fundit që të dëshmohet se vlera është ajo që do të duhej të dalë në shesh, jo kotësia, ligësia dhe miopia. “Studentët i përgëzoj për një hap të guximshëm, në thyerjen e heshtjes që na brente vitet e fundit, dhe në vullnetin e tyre për të thënë këtu, sot para jush, se ne jemi gjallë, ne jemi UT-ja. Kjo, që ndodh sot, besoj se do te duhet të jetë eveniment i shpeshtë, përmes së cilit njëra palë do të nxitet për punë, tjetra kërkon kualitet të prezantuar si rezultat final përmes ekspozitës. Besoj se angazhimi te të gjithë ne këtu, në të ardhmen do të jetë që përmes ekspozitave të tjera të radhës, publikut t’i themi me mburrje se diferenca jemi ne, edhe atë, përmes punës e cila duket”, tha Prof. Dr. Kujtim Elezi.

Për realizimin e kësaj ekspozite të studentëve kanë kontribuar edhe asistentët e Katedrës së Arkitekturës, Erda Besimi, Fjolla Ibrahimi, Fjolla Sahiti dhe Hafije Murati. Po ashtu, në këtë aktivitet u promovua edhe katalogu me punimet e studentëve të programit studimor të Arkitekturës.