Në RMV pagesat gjithnjë e më tepër po realizohen përmes transakcioneve

Shkup, 4 tetor – Pagesat po bëhen gjithnjë e më shumë pa para të gatshme. Sipas Bankës Botërore, në korniza globale, dy e treta e popullsisë së rritur kryen pagesa digjitale, megjithatë 95 për qind në ekonomitë e zhvilluara, ndërsa 57 për qind në ekonomitë në zhvillim. Trendi i digjitalizimit gjithnjë e më të madh është i pranishëm edhe në vendin tonë, më saktë 74 për qind e të rriturve kryejnë pagesa digjitale, theksoi guvernatorja Anita Angelovska-Bezhoska në hapjen e konferencës për pagesa dhe infrastrukturë të tregut e cila filloi sot në format virtual.

Sondazhi i Bankës Popullore, siç potencoi guvernatorja, tregon se sistemi ynë bankar përkushton vëmendje gjithnjë e më të madhe në investimin në teknologjitë e reja dhe sigurimin e mënyrave të reja të pagesës.

Guvernatorja i theksoi përpjekjet e Bankës Popullore për të hedhur themele për depërtim më të shpejtë në inovacione në financa, duke theksuar vlerën e Ligjit të ri për shërbime pagesore dhe sisteme pagesore, Porta për inovacione si platformë për dialog me sektorin-fintek, si dhe Strategjia e parë kombëtare për sektorin-fintek i cili do të miratohet së shpejti. Në të njëjtën kohë, ajo theksoi rëndësinë e projektit afatmesëm të Bankës Popullore për hulumtimin e përfitimeve që mund të sjellë valuta digjitale për sistemin maqedonas të pagesave dhe më gjerë për ekonominë e përgjithshme, por edhe për rreziqet që ajo mund t’i imponojë stabilitetit financiar dhe politikës monetare.

Sipas guvernatores së Bankës Popullore të Serbisë, Jorgovanka Tabakoviq, shërbimet pagesore dhe rrjeti i infrastrukturave të tregut bëhen gjithnjë e më të sofistikuar.

Drejtoresha e Sektorit për pagesa dhe infrastrukturë të tregut në Bankën e Holandës, Inge van Dijk, ka potencuar se ajo për të cilën duhet të bëjmë përpjekje së bashku derisa lëvizim drejt të ardhmes prosperitare për pagesat digjitale është mbajtja e infrastrukturës së fuqishme dhe të sigurt.

“Duhet të sigurojmë qasje në pagesa në një botë gjithnjë e më digjitale dhe përfundimisht, duhet t’i përforcojmë pagesat evropiane dhe globale në fushën dinamike ndërkombëtare”, ka theksuar van Dijk.

Konferenca sot vazhdon pasdite me një panel-diskutim të ekspertëve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Banka Popullore, e destinuar për sfidat dhe mundësitë e valës globale në shfrytëzimin e pagesave digjitale.

Konferenca ndërkombëtare mbahet këtë vit për herë të 14-të në organizim të Bankës Popullore dhe me mbështetjen e Bankës Qendrore të Holandës. Konferenca e titulluar “E ardhmja prosperitare e pagesave digjitale” mbulon sfidat dhe mundësitë për pagesat digjitale dhe inovacionet që rrisin konkurrencën në sistemet e pagesave dhe format e reja të punës bankare duke aplikuar në veprim bankar të hapur, por në të njëjtën kohë krijojnë nevojën për një nivel më të lartë sigurie të pagesave dhe mbrojtjen e të dhënave, si dhe verifikimin e përmirësuar të të dhënave të klientit. Në konferencë do të diskutohet edhe për monedhën digjitale të bankave qendrore, e cila, sipas hulumtimit më të fundit të Bankës për shlyerjet ndërkombëtare, është e ardhmja në punën e bankave qendrore në mbarë botën në afat të shkurtër apo të mesëm.